Nuk ishte i pari as i pesti. Në bastoret e Londrës. Fakt është: emri i tij përmendej tash e sa vite por që Bob Dylan do ta merrte sivjet Nobelin për Letërsi- këtë s’e kishte pritur askush.
Dhe tashti kur lexoj gjithë këto himne për të- s’kam si të mos konstatoj një fakt sa i turpëruar aq edhe lehtësuar: Nobelisti i parë librat e të cilit s’i kam lexuar kurrë. Por edhe Nobelisti i parë i cili më përcjell tash 30 vjet të jetës sime. Me tinguj muzike dhe vargje lirike.
Bob Dylan poet? Po. Por para së gjithash muzikant. Artist. Performues. I thellë. Dhe: gjeni.
A gjejmë ndonjë teori konspiracioni?
Philip Roth, Kundera, Murakami, Ismaili… Asnjë prej tyre.
Të jetë vërtetë ashtu që ato gra dhe ata burra të Stockholmit thjesht kur i thonë një diçka jo edhe të rrijnë prapa asaj “jo”-je?
S’e kam idenë.
E kam vetëm një mendim: Dylan e meriton këtë çmim dhe pikë. Sepse koha që e jetojmë është kohë e keqe, kohë e pistë, kohë e shpejtë, kohë e shpifur, kohë që gllabëron me çdo gjë vetveten. Kohën.
Përfshirë edhe leximin. Librat. Letërsinë. Poezinë po se po.
Nuk dua të mos e pranoj që s’jam i pikëlluar dhe trishtuar që këtë çmim s’e mori një Kadare, Roth apo Murakami. Duke e shtuar edhe apo sidomos “defektin” profesional- të qenmit nga e njejta “fushë”- në të cilën ka vend për të gjithë.
E me Bob Dylan pajtohemi të gjithë: edhe ata që s’lexojnë edhe ata që s’e kanë lexuar edhe ata që s’do të lexojnë!
Edhe ata që e duan Amerikën por shumë më tepër ata që e duan lirinë. Dhe Amerika e Liria janë një dhe e vetmja gjë. Së paku malli për të. Nëse është nevoja edhe lufta.
Nëse për asgjë tjetër, Akademisë këso radhe, sidomos këso radhe, duhet t’ia pranojmë këtë verdikt sepse… sepse a ka Çmim Nobel për Muzikë?
Nuk ka.
Prandaj duhet të jetë edhe hera e parë që ky Nobel do të shkojë tek një muzikant. Që ka shkruar vargje gjeniale.
Vargje që s’do t’i lexoj kurrë.
Por do të vazhdoj t’i dëgjoj.
Psh. sonte!
https://www.youtube.com/watch?v=ZtAuxH3Mglk