Tag Archives: Dragan Velikic

18 Shkurt

E përfundoj “Islendik” të Dragan Velikiqit. Kthimi i leximit në serbisht. Në fillim i frikshëm por nga fjala në fjalë, nga fjalia në fjali, nga faqja në faqe… më merr me vete.

Një libër monumental. Për nënën. Pulën, Selanikun…  Personazhe që i bën përmendore: nënën dhe shoqet/fqinjet e saj. Qytetet e Istrisë ku kaluar fëmijërinë. Shokët e shoqet e klasës. Kohën që ka jetuar.   Një rrëfim që shkon përtej autobiografisë. Përtej letërsisë. Një drithërimë që kalon çdo gjë që ka të bëjë me të tashmen.  Por për këtë përmes së kaluarës prek diçka që më shumë katapultohet në përjetësi.

Ka logjikë që e ka fituar për herë të dytë NIN-in për roman të vitit. I shkruaj dhe e uroj.

Më tregon që është libri është në botim të pestë. Botuesi i ka treguar që janë shitur më shumë se 50.000 ekzemplarë në Serbi.

Mendoj për shitjet ndër ne shqiptarët.

18 Janar

Përtej çdo ngjarjeje të kësaj fillimjave e cila edhe ashtu është e qetë- kur je në shtëpi, i shtrirë në shtrat dhe nga dritarja e shtëpisë sheh tërë botën sesi vrapon për dikund… të punojë, është vetëm një lajm që të gëzon.

Çmimi për romanin më të mirë në Serbi për Draganin më gëzon. Është një miqësi e cila pat filluar në vitin më të keq të mundshëm: 1999. Në pikë të luftës. Me fillime jo edhe të lehta. Diskutime edhe private edhe publike në skajet dhe skenat e Gjermanisë, Austrisë e Zvicrës. Por ishte dhe është ajo njerëzorja e cila i pat mbijetuar konfliktit të masave e politikës ditore që e ka mbajtur dhe mban gjallë këtë diskurs a diskutim- për politikat e mëdha në njërën anë dhe problemet krejt personale e profesionale (që lidhen sidomos me shkrimin, kulturën) në anën tjetër….

Një miqësi? Po. Prej atyre të mirave dhe të mëdhave që u kanë mbijetuar edhe largësive edhe gjeografive edhe politikave.

Ta fitosh NIN-in dy herë në Serbi nuk është e lehtë.  Ose: është e pamundur.

Dragani e fiton për herë të dytë.  Kam ndërgjegje të vrarë që s’e kam lexuar romanin e tij- edhepse ma ka dërguar në version elektronik.  Të lexosh libër në version elektronik është sikurse ta lexosh një gazetë… Shpejt e shpejt.

S’më pengon që ta uroj. Nuk kalon shumë kohë dhe më vie edhe një përgjigje prej tij. E ndjej që është i gëzuar. Edhe kjo më gëzon!