Tag Archives: Dubravka Ugresic

14 Qershor

Jam ulur në tavolinë të punës dhe mendoj ta shënoj apo jo.

Dubravka Ugrešić, autorja kroate- kemi patur njëherë një diskutim publik para 200 vitesh LiteraturFestival të Berlinit.

Dhe A. V. – autor shqiptar të cilin s’e kam takuar asnjëherë.

S’i lidh asgjë.

Pos (ndoshta?) faktit që e para jeton në Holandë ku ligjëron për letërsi, ka botuar një dyzinë romanesh në serbo/kroatisht, i ka të botuara në gjuhë të mëdha të kësaj kohe e bote, ka botuar ese nga NYT përmes FAZ e Le Monde deri tek Novossti (e pakicës serbe në Kroaci). Me një sukses- çfarë mund ta kenë ballkanasit në botë.  Kurse i dyti, mban një blog nga Amerika (NY) dhe prej atje shkruan e shkruan e shkruan. Për çdo gjë që mendon se duhet shkruar dhe mesa kam vërejtur kohëve të fundit po sprovohet edhe në zejen e letërsisë. Shqipe.

Është impresive ajo disiplinë e hekurt dhe zor e përballueshme edhe si lexues kur njeriu sheh Peizazhe-t. Një mik më tërheq vërejtjen për një tekst të tij për ‘Të Përjashtmit’…  Tema: autorët shqiptarë që jetojnë e shkruajnë jashtë (Shqipërisë). E lexoj atë tekst dhe nuk kam ide se çfarë A.V. don të thotë. Para së gjithash më vie keq (për të) që i del shumë me zor t’ia mbyll kryet atij thesi që ka hapur.

Provoj ta rilexoj (dhe kuptoj?). Nuk arrij dot. Pos të mendoj: Të përjashtmit e A.V. e Përjashtojnë A.V.

Dubravka Ugrešić . Po.  Ajo është edhe e përjashtme. Kur e lexoj intervistën që u ka dhënë mediave serbe (të Kroacisë!) dhe triumfin e saj kundruall Slavenka Drakulić, Zoran Ferić… e të tjerëve. Por janë sidomos këta të tre që herë hiqen e herë futen në programe shkollore me librat e tyre (shkolla të mesme). Për dallim nga Slavenka e Zoran, Dubravka kurrë s’ka dashur të njihet as shihet si autore kroate.

S’e besoj që A.V. do ta kutponte vendimin e saj.

S’prish punë.

Bile them që edhe më mirë që s’e kupton.

Gjuhën e saj jo se jo.

E për botën as të mos flasim.

Sikur A.V. të kuptonte pak nga gjermanishtja… apo “kosovarishtja”.

Më duhet të ulem para televizori.

Luajnë islandezët kundër portugezëve.

Të parët nga një vend ku çdo i treti banor (disa thonë edhe dyti!) është shkrimtar.

Të dytët që kanë dhënë një poet i cili ka shpikur heteronimet e disa autorëve dhe kurrë s’i ka botuar.  As ata dhe as veten. Në mënyrë që  prej pas vdekjes së tij (1935) të vazhdojmë të merremi me të (Fernando Pessoa).