Tag Archives: Edi Rama

26/07

Enver Hoxha ishte artisti i dështuar shqiptar që hyri në ujëra të politikës dhe u bë … diktator.

Ibrahim Rugova- njeri i fjalës, artitit të fjalës që u bë politikan dhe lider i shqiptarëve të Kosovës, emblemë e shqiptarëve të Ballkanit…

Edi Rama… njeri i artitit që për herë të parë pas “tranzicionit” në Shqipëri arrin të fitojë shumica absolute.

Herët të thuhet ku do dalë kjo puna e Edit.

Edit që din jetën, din median, din artin, din politikën…

Dy punë që e presin dhe besoj që s’do të arrij t’i mbarojë janë: shteti ligjor dhe ekonomia.

Dy sfida që krejt paraardhësit e tij- përfshirë edhe Edin I, nuk arritën as t’i ftillojnë sa e si duhet!

25/06

Zgjedhjet në Shqipëri.

Si asnjëherë më parë: artisti që bën politikën art. Art politike. Politikë arti.

Ekstrem.

26/04

Përfytyrojeni këtë situatë fiktive: disa vite pas Luftës së Dytë Botërore, burra si Konrad Adenauer-i, Winston Churchill-i, Jean Monnet,  Robert Schuman-i, të gjithë të njohur sot si themeluesit dhe baballarët e Evropës së pasluftës, t’i ushqenin asokohe popujt e tyre me reminishencat e moçme.

Me fjalë të tjera, Konrad Adenauer ta akuzonte Robert Schumann-in se po ëndërron për Francën e madhe. Ose Schumanni ta denonconte Adenauerin se ka nxjerrë nga sirtarët planet naziste për jetësimin e historisë! A do të bëhej Europa një Bashkim? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje do të ishte mësimi më i mirë për politikanët e sotëm nga Ballkani.

Edi Rama, Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Aleksandar Vučić, Ivica Dačić, Milorad Dodik, Izetbegović, Georgievski, Zaev, Ivanov… a do të jenë këta politikanët, për të cilët fëmijët e fëmijëve tanë do të mësojnë një ditë në shkolla si për baballarët, që arritën ta bëjnë Ballkanin Skandinavinë apo Baltikun e Evropës Jugperëndimore?

Mençuria kundër urrejtjes

Jo! E them këtë sepse po të lexosh biografitë e liderëve të parë të Unionit dhe ato të politikanëve të sotëm ballkanas, del qartë që një Adenauer apo Schumman kishin vuajtur aq në luftëra, sa arritën ta kuptojnë mençurinë se sa të pakuptimta janë edhe urrejtja edhe konflikti. Burrat nga Ballkani, ende të rinj në moshë, është e pamundur të kenë provuar atë që kanë përjetuar qytetarët e vendeve të cilave u prijnë.

Sidomos njëri prej tyre s’ka të bëjë me luftëra. Shqiptari Edi Rama. Rama është mbase i vetmi politikan nga ky gadishull, i cili qoftë me të kaluarën e tij prej artisti e publicisti, ashtu edhe mënyrën e ardhjes në pushtet, nuk përdori instrumente nacionaliste. Prandaj ai është mysafir i mirëseardhur në Berlin e Bruksel. Rama, artisti, basketbollisti, politikani. Pa bagazhin e së kaluarës, labirinteve të deklaratave luftënxitëse a nacionaliste, pa urrejtje për popuj të tjerë.

Por ja që edhe Rama, prejse është bërë kryeministër, kohë pas kohe dhe sidomos kur brenda në Shqipëri e ka punën pisk me opozitën, apo kur nga Evropa i vijnë vërejtje për fshatrat Kanabisi, pikërisht ky, katapulton me deklarata që çojnë pluhur.

Nga debatet për ndeshje futbolli Shqipëri-Serbi, përmes kacafytjeve publike me Vuçiqin për Kosovën dhe deri tek deklarata e tij fundit po për Shqipërinë e madhe, rrëshqitje të cilat duket që nuk janë të rastësishme, Rama del që në këto katër vite të të qenit në pushtet, u bë pjesë e politikanëve ndaj të cilëve ndjente vetëm pështirosje, sa ishte artist dhe publicist. Dhe i përqeshte!

Po pse e bën Rama një gjë të tillë, përtej shpjegimit pllakativ se do t’u ikë problemeve të brendshme? Sepse shuma e problemeve, duke filluar nga kundërshtarët e brendshëm (partneri Meta) apo të jashtëm (opozitari Berisha), duke vazhduar me korrupsionin,  kriminalitetin, ekomominë gri, kanabisin, papunësinë, zhduket brenda pak çastesh  me shkopin magjik të retorikës nacionaliste! Këtë gjë e ka mësuar nga kolegët dhe fqinjët e tij.  Sot rrihen Thaçi e Vuçiçi. Nesër shahen Gruevski e Ahmeti. Pasnesër Izetbegoviçi fyhet nga Dodik. Të gjithë njëkohësisht dhe pa ndalur.

Dhe tani dua të marr një shembull që Edi Rama jo rrallë këto mendime i ka patur edhe si sulme për t’u mbrojtur. P.sh. deklarata e tij e fundit për „Shqipërinë e madhe“ vjen pikërisht pasi iu hodh në shportë, publikisht dhe demonstrativisht nga bashkëkombasit e tij në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, propozimi i tij për themelimin e Bashkimit Tregtar Ballkanik. Publicistët e akuzonin për tradhëti kombëtare. Qeveria e Kosovës deklaroi që ideja është kundër interesave shqiptare – nga frika e fuqisë tregtare serbe.

Edhe ekspertët më të parëndësishëm të BE-së, “on record” dhe “off record” e denoncojnë Ramën për “Shqipërinë e Madhe“. Ajo që dua të them: vazhdoj të besoj shumë më shumë në deklaratat e Ramës së frustruar (Shqipëria e madhe), Ramës pragmatik (Bashkimi Tregtar Ballkanik), Ramës së dëshpëruar (me krizën dhe krizat në Tiranë), sesa që dua t’u besoj vizioneve apo premtimeve, dëshirave apo planeve të Vuçiqit, Thaçit, Ivanovit, Dodikut… Sepse është e kaluara e tyre me plot njolla, ajo që duhet të na bëjë të shohim me shumë dyshim çdo gjë që bëjnë apo flasin këta politikanë.

Luhatjet e Ramës mes retorikës nacionalishte dhe vizioneve për një Ballkan europian janë dridhje, të cilave çdo qenie njerëzore e ka zor t’u dalë përballë. Tek e fundit, të jesh artist dhe pastaj të bëhesh politikan, shtoi kësaj edhe politikan shqiptar – kjo po që nxit edhe fantazi, por edhe xhelozi. Ramës i duhet mbështetje sepse s’e ka të lehtë. Herë i duhet të jetë mirë me serbët, por shumë më shumë i duhen shqiptarët. Dhe krejt këto nën mbikqyrjen e Brukselit.

Europa edhe kështu vazhdon të jetë larg Ballkanit! Sepse stërpinët politikë të Adenauerit e Schumann-it thjesht s’duan ta kuptojnë që shfaqjet politike si Edi Rama sot, apo Zoran Đinđić dje, paraqesin kërcënim për Ballkanin. Që ky të bëhet pjesë normale e Europës që ata themeluan!

 

05/04

Them se njoh Shqipërinë. Nga jashtë më mirë se nga brenda. Se nga brenda s’e njohin as ata që ishin, janë e do jenë në të.
Shqipërinë dhe shqiptarin e këtij vendi: tek Blloku a brigjet e Lanës, fshatërat pa vadë të Elbasanit, veriu i egër, deti i paqtë i Sarandës apo jugu i gurtë… o e don menjëherë o do ta urresh përjetë.

Ky pikëshikim, kjo ngjizje prej ndjenje ekstreme dhe aspak racionale më vjen si pasojë e stuhive dhe ngricave që ky vend ka kaluar. Për shtatëdhjtë vjet ky vend ka kaluar trauma të rënda të cilat mezi deshifrohen në librat e Ismailit (Kadaresë) aty këtu Fatosëve (Lubonjës e Kongolit).

E sunduar nga Diktatori (Enver Hoxha), e traumatizuar nga Doktori (Sali Berisha) dhe e skicuar nga Piktori (Edi Rama): Shqipëria nuk po bëhet!

Çdo e keqe e ka nga një të mirë.

Prej krejt tmerreve që Diktatori ka bërë i mbetet vetëm një e mirë: themelimi i letrarishtes e cila me krejt të metat që i ka së paku u bë (pikërisht si Shqipëria!).

Prej krejt traumave që Doktori dhe kotillat e tij në forma nga Hajdin Sejdiash a Sudja e deri tek fëmijët e tij plangprishës: bile rrugën (e kombit) e bëri! Dhe bashkoi, për të folur me Ismailin, dy Shqipëritë.

Prej krejt pritjeve që shqiptarët kishin dhe vazhdojnë t’i kenë nga Piktori, bile shfaqja e tij e jashtme nuk huq. Nga brenda, nga brenda po del që në këto katër vite të pushtetit Piktori, po e ka zor, aq zor sa nganjëherë më del e pamundshme, ta shoh skicën të shëndërrohet në pikturë prej Shqipërie normale, mondane, monotone… prandaj Europiane.

Jo.

Shqipëria e Piktorit nuk është gjë tjetër pos pas këtyre katër vitesh qeverisjeje një Hinterland që rënkon dhe pikon gjak diktature mes tmerreve të Diktatorit dhe djersë kaosi urbanistik e politik brenda traumave të Doktorit.

Sepse partneri i tij (Meta), kolegët e tij nga Partia (S) dhe Qeveria (femine) vijnë nga e kaluara. Dhe… e kaluara nuk ka vdekur, ajo as që kaluar! (Faulkner).

Ta gjykojmë Piktorin?

Ncuk.

As ai as ne nuk e dijmë se ku do dalë ky vend me problemet e mëdha, me problemet e pafundme, me problemet që jo vetëm miqtë e shqiptarëve s’i kuptojnë por as vet shqiptarët.

Them se Piktori ka edhe një shans.

Shansin e tij të fundit: t’ia bëjë një të mirë Shqipërisë.  Dhe ajo e mirë do të ishte e mira tjetër prej shumë të këqiave e nga një të mire të Diktatorit e Doktorit.

Përtej ëndërrave të shitura e edhe shpifura prej Rilindasi… të dalë dhe t’u thotë shqiptarëve që ka vendosur të mos tregtojë as me viktimat e Diktatorit e aq më pak me të traumatizuarit e Doktorit. Të mos i thërret aspak Aleksandrin apo Hashimin që ata t’i tregojnë si bëhen këto gjëra.

Por le ta vendosë nëse don të bëhet shqiptari i parë që shqiptarëve don t’u prijë drejt shtegut të europeizimit emocional e legal!

06/01

Lexoj poshtë e lartë për Ramushin.

Të gjithë pa dallim partie e Qeverie, edhe ata që e duan edhe ata që s’e durojnë vet Rambon- unisono- janë të mendimit që është gabim, lëshim, budallëllëk, marrëzi, poshtërsi, idioti e çka jo tjetër ajo që francezët kanë bërë.

Pastaj vijojnë kritikat: për Serbinë dhe serbët, ndërkombëtarët dhe Brukselin e dialogun, pak Qeverinë dhe fare në fund, mbyllin tekstet.  Vetëtimthi më shkrepin dy a tre gjëra në mendje: si u bë që pas arrestimit që ia bënë sllovenët- Hashimi, Isa, Edita & co. s’e denjuan ta hapin këtë temë me atë gruan e Italisë në Bruksel? S’e denjuan sepse s’i kanë hapur temat e varreve të më shumë se 1000 shqiptarëve të zhdukur e lëre më të fletarresteve të cilat, vazhdoj të mendoj, janë punë kompjuterësh… Vetëtimthi më shkon në mend pokështu: bile për një gjë bujtina që Colmar i Elsass-it të Francës iu bë Ramushit ia ndali Toma Nikoliqit të kalonte “Badnje veče” në Kosovë!   Se, poqese nuk do të ndalej i pari në Francë i dyti, si të gjithë të tjerët, jo vetëm që do të vinte në Kosovë për ta kaluar natën por të nesërmen me fytyrë të enjtur prej Šljivovice, do t’ua kishte çuar do selame edhe serbëve në Beograd dhe sidomos shqiptarëve në Kosovë.

Një risi në tërë këtë tam-tam publicistik është që duket një angazhim i pazakonshëm (lexo: jashtëzakonshëm) i Tiranës me arrestimin e Ramushit. Aq sa e tëra filloi të merr përmasa bizariteti partiak (Luli versus Edi).

Por ajo që trishton me Tiranën politike e publicstike është që ende s’po e gjejnë ta zërojnë atë që qoftë në zyra ashtu edhe kafene ia thonë njëri- tjetrit: si është e mundur që Kosovën e shkallmuar përtoke vazhdon që ta sjell në gisht Hashimi. Me paaftësinë dhe djallëzinë së cilës ditë e natë tash 17 vjet ia ndjejnë pasojat 2 milion të burgosurit e tij. Dihet se në Shqipëri e kanë zor, e kanë të pamundshme- ta deshifrojnë artin e tij të mbajtjes së pushtetit- sepse ia njohin “limitet” dhe limitet- kur u shkruan (mesazhe), kur lexon (fjalime), kur bashkëbisedon (privatisht) .   Ndjenja e tyre për Hashimin është e dyzuar sepse e kalon dinakërinë e një Nano-je, pabesinë e një Mete, çmendurinë e një Doktori, delirin e një Edi.  Ajo që ndoshta s’e dijnë për Hashimin është që ky ka prej të gjitha këtyre ngapak por më vete e ka edhe dellin e politikbërjes bizante,  sllave.  Prandaj Hashimi e ka Serbinë në lojë. Pa  serbët në lojë, Hashimi do të kishte shkuar kaherë prej skenës së Prishtinës. Përmes kartës serbe ai ka siguruar krejt mbijetesën (me ndërkombëtarët) të cilët psh. Edi i shante aq keq në editorialin e tij. Por ajo që edhe Edi e din që ndërkombëtarët, përfshirë edhe Gjykatën Speciale, janë Hashimi. Dhe nuk janë Ramushi.

Këtij bile- pas shkëputjes prej 8 vitesh i janë dashur nja 3 vite të mira derisa ka “mbërritur” në Tiranën e re politike e publicistike. Prandaj Tirana e përjeton, ndjen, pranon Ramushin më ndryshe se Hashimin.

Dhe kjo këtë të fundit e çmend.

Dhe gëzon që Ramushi këto netë po i kalon në Elass. Dhe më së shumti frikëson. Sepse këso radhe s’do ta ketë shansin e shtruarjes së tepihut të kuq…

 

13 Nëntor

1.

Martini. Martin Shkreli është shqiptari (?) i vetëm që e njoh (“njeriu më i urryer në internet”) dhe i cili ka arritur dy fitore: e mundi Hillary Clintonin e cila e pat bërë potere kur ky e rriti çmimin e medikamentit të Aids-it dhe ishte i vetmi shqiptar nga shqiptarët e njohur i cili prej ditës së parë dhe deri tek e fundit përkrahu Donald Trump në fushatën e tij zgjedhore.

Martini duhet të ndjehet fitues edhe kur New York Times i kushton një tekst të tërë dhe i njofton lexuesit: shqiptaro-amerikani apo amerikano-shqiptari i njohur don ta festojë në mënyrën e tij krejt të posaçme fitoren e Trumpit.

Dhe me datën 9 Nëntor i pyet lexuesit e tij:

E mban premtimin dhe e dridhë me një dhe të vetmën këngë margaritar të Wu-Tang Clan! 

2.

Edi.  Edi Rama, politikani artist a artisti politikan  i cili duket që aq është i preokupuar me artin e tij saqë edhe “Timing”-un e ekspozitës së tij në Marian Goodman Gallery në New York e kishte datosur pasi që Hillary të kishte fituar zgjedhjet, jo vetëm që e huqi keq por në fakt ai e dëmtoi Shqipërinë dhe i dëmtoi shqiptarët si asnjë lider i tyre më parë në historinë e tranzicionit qe 26 vjet.  Budallallëku i Edit nuk konsiston vetëm në ato që kishte thënë për Trump tek Richard Quest në CNN.  Gomarllëku i Edit nuk konsiston në atë që ngado që po shkon promovon “Kurbanin” apo vizatimet e tij- “Kurbanin” në gjuhë të vogla dhe gjuhë të fqinjëve- si në Rumani a Serbi, e vizatimet në sallone të mëdha të kryeqyteteve hijerënda sepse gjuhët e mëdha s’i honepsin edhe aq gjuhët e vogla… Dhe para së gjithash perversiteti i Edit, Ed do-të-doja-artistit e Ed do-të-doja-publicistit,  është fakti që ai ka harruar se Amerika është e madhe, tepër e madhe për shqiptarët kaq të vegjël të cilët ende dirigjohen në “debatet” e klaneve “kosovare” e “shqiptare”… Përfshirë këtu edhe mundin e madh, tepër të madh të Lobit e diasporës shqiptare në Amerikë, mund ky të cilin nga Amerika a ndonjë aeroport i kësaj bote e nis dhe sos’ me këtë shënim i cili për Edin shënon fillimin e mbarimin e botës së tij:

….”Diaspora shqiptare në SHBA ka qenë kurdoherë e gatshme të ndihmojë vazhdimësinë e sovranitetit dhe pacenueshmërinë e integritetit të Shqipërisë, pa më të voglin paragjykim ideologjik….Diaspora dha një mbështetje morale dhe materiale të pamohueshme ndaj Luftës Nacional-Çlirimtare dhe ndaj fitores së Aleatëve, për të cilën duhet të kemi një krenari të përligjur…”!

Jo Ed. Ti je ai që Përligj këto marrëdhënie nëse kujton që CIA apo Home Security po merret me deshifrimin e asociacioneve tua për “fashizmin” dhe “luftat nacional çlirimtare”. Çohu nga gjumi dhe shih: jemi në vitin 2016 dhe jemi në Trumpworld! Nëse me atë fotografen tënde doni ta luftoni- rrini në New York e barrikadohuni!

Ah po: jam kurioz se çfarë Edi Rama do të merr me vete në Berlin. Libra vetëm në shqip nëse i ka se edhe gjermanishtja është gjuhë që e gëlltit këtë shqipen e vogël.

Dhe ajo që qysh tash e di është: Edi me vete nga Berlini dhe Kancelarja do t’i merr nja GJASHTË a SHTATË PIKA/DETYRA SHTËPIE të cilat pikërisht si një botë mikut të tij Aleksandrit (Vuçiqit) do t’ia përmbysin botën e artit në mënyrë që të fillojë ta luftojë botën e krimit që e rrethon kudo në Tiranën e tij. Nëse do t’ua fsheh shqiptarëve ato detyra shtëpie që Merkel do t’ia japë? Nuk kam ide. Dhe as që më intereson.

Ashtu siç nuk më intereson puna e Hashimit.

3.

Hashim Thaçit. Sa e sa miqë, gjermanë, shqiptarë për vite më kanë thënë që dikur Kryeministri e tash Presidenti u Kosovës e ka dhuruar krejt Kosovën në Amerikë.  Dmth. jo Kosovën si çështje por Kosovën në kuptimin e tregtisë e tenderëve. Dhe tash, zgjedhja e Trumpit do ta bëjë të qartë një gjë: Hashimi e kishte investuar krejt Kosovën tek Demokratët e Amerikës dhe aspak tek Republikanët. Dhe kjo i bie që këso radhe edhe vet Vlora do ta ketë të vështirë, për të mos thënë të pamundur të kap ciflat e vazove të miqësive që psh. Ibrahim Rugova kishte ngritur me Republikanë e Demokratë. Bipartizanizmi i Rugovës me së pari Lobin shqiptar atje e pastaj edhe Kongresin e Senatin duket që historianit që quhet Hashim Thaçi ia kanë bërë edhe një Amerikë ta sheh si poligonin e perversiteteve të tij politike.

Ja që Amerika nuk është Prishtinë.

Ndjej keqardhje për miqtë e kolegët që po mundohen të nxjerrin krahasime mes Republikanëve të mëparshëm që shqiptarët s’i kishin përkrahur dhe mëpas po këta Republikanë i ktheheshin Kosovës. 

Janë të kota këso radhe krejt këto krahasime sepse, siç e thoshte Uki (Uk Lushi), një javë para zgjedhjeve:

“Pjesërisht fajtorë për degradimin operacional jemi të gjithë anëtarët e komunitetit, por akuza themelore duhet ngritur kundër përfaqësuesve të shteteve tona sepse shumica e tyre kanë privatizuar kontaktet me individë të caktuar të komunitetit duke anashkaluar dhe nënçmuar organizatat dhe shoqatat e shqiptaro-amerikanëve”.

Që i bie: elitat politike shqiptare edhe lidhjet me Amerikën i kanë bërë  allësh vërësh si çdo gjë i rrethon!

Ndryshe nuk do vinte kjo ditë: dita kur Martin Shkreli i mundi Edin e Hashimin.

27 Tetor

Çfarë është Edi (Rama) kur nuk është Kryeministër (i Shqipërisë)?

Artist (i fjalës)?

Publicist (i të gjitha mediave)?

Ideolog (pa ideologji)?

Të gjitha ngapak.

Më së paku Kryeministër.

Më së shumti Kryeministër… i të gjithave ngapak!

16 Prill

Çdo gjë që njeriu përjeton, sheh, komenton i ngjet një përsëritjeje të çuditshme.

Dhe nga krejt këto njeriu provon të diferencojë a ndajë diçka që del përtej ndarjeve a diferencimeve në fjalë. Në këtë të shtunë në të cilën kam kohë me bollëk shoh e dua t’i ndaj dy gjëra që më bëjnë përshtypje.

Së pari vizitën e Ed Ramës në Washington.

Mënyra sesi ky e shet pritjen që Njëshi i botës- Obama i bën. Edi me njerëzit e tij e shesin si thyerje protokolli kur Obama nuk pret që të futet në takim me Biden-in dhe faktin që takimi zgjati një orë e shtatë minuta. Por edhe futjen në Zyrën Ovale. Them që të dy këto Elemente janë të rëndësishme. Por ajo që Edi me njerëzit e tij nuk e shesin, nuk dijnë ose nuk duan këtë nuk e di, është ajo pamja e tij përballë Obamës e Biden-it në tavolinën e punës. Në atë tavolinë pune nuk kam parë shqiptarë kurrë. Dhe ajo tavolinë pune më bën disi të kujtoj që më në fund edhe shqiptarët kanë filluar të punojnë diçka.  Përtej fotografive dhe përfoljes së tyre s’më kujtohet të kem parë burrështetas shqiptar me njerëzit e tyre ulur në tryeza punes me  shefat e shtetit më të fuqishëm të botës. Pra, përtej fotove në ceremoni e takime kurtoazie.

Krejt këto ndoshta edhe nuk do kishin vlerëë po të mos lexoja dikund për xhelozinë dhe krenarinë e divave të gazetarisë shqiptare. Xhelozinë e Blendit dhe mburrjen e Batonit. I pari për pamundësinë të ishte me Edin atje dhe i dyti për të kundërtën: praninë e tij atje!

Edhe një diferencim a ndarje: mënyra dhe me këtë edhe zemërgjerësia me të cilin Perlentaucher i jep hapësirë konkurrencës së re, Tell- Review…

Kthehem tek Kakfa: kultura të vogla, kultura grindavece.

Dhe them: kultura të mëdha, kultura që kanë vend për të gjithë. Pa përjashtim. Nga lagjet fshatrat e thella deri tek megaqendrat. Qofshin ato reale ose edhe virtuale.