Tag Archives: Ese

24 Korrik

Pësimet janë mësimet e jetës.

Masakra e Munihut është ajo ngjarja e rëndë, e trishtë e cila secilën qenie njerëzore e rrëzon përtoke.  Njëherë paqartësia me të panjohurat se kush qëndron prapa sulmeve. Pastaj kërkimet e emrave, origjinës, familjarëve, miqëve… Një kontinent në ankth. Me të edhe shqiptarët të cilët për fat të keq janë mes viktimave.

Tërë këtë të diele më dalin para këta, pardon, ata muaj pothuajse mjalti që kisha në e me veten me këtë rini shqiptare në Europë.  Nga Kampionati Europian i futbollit në të cilin luajtën as më pak as më shumë se 31 shqiptarë: për Shqipërinë, për Zvicrën, për Gjermaninë…  Kur i gëzohesha çdo shkronje që për ta lexoja. Kur me një lehtësi sa mahnitëse aq edhe naive besoja që (ende!) mund të shkruaj ndonjë kolumnë për publikun e gjerë në këtë pjesë të nënqiellit ku jetoj. Ku edhe fqinjët e mi i befasoja kur varja tre flamuj në dritaren e shtëpisë ku jetoj…  Kur shihja kolonat e simpatizantëve shqiptarë- shumica absolute shtetas, qytetarë, tatimpagues dhe shqiptarë me pasaporta gjermane, zvicerane, austriake, skandinave dhe  gjak, sidomos gjak e gjene shqiptare. Monologjet e gjata me vetveten dhe me miqtë për një rini të mrekullueshme e cila e din se kush është dhe prej nga i ka rrënjët.

Vetëm atdhetë (e Ballkanit) që s’e dijnë se çfarë ka në këtë pjesë të botës.

Nuk më shqiten nga koka fytyrat e tyre të njoma.

E kujtoj takimin me 20 studentë nga prindër shqiptarë para 3 javësh në një sallë të bukur të Universitetit të Stuttgartit. U flisja për neve… studentët e parë shqiptarë në fillimin e viteve 90. Më shikonin të çuditur. Donin të dinin më shumë. Mes mahive të vogla dhe shikimeve të tyre inteligjente shihja e dëgjoja sesi njëri-tjetrit i lexonin poezi në gjuhën shqipe: Gjergj Fishtën, Asdrenin, Ali Asllanin, Ali Podrimjen dhe ndonjë prej neve të rinjve. Me një shqipe të pastër dhe gjuhën e prindërve kërkonin dhe suksesshëm kapeshin për rrënjët e paraardhësve të tyre.

Në shqip.

Komenti i asaj mbrëmjeje: dikur në vitet 90… ne paraardhësit e tyre, po studentë të këtij Universiteti përpiqeshim të lexonim gjermanisht.

Sot, ata, fëmijët tanë, kthehen në origjinë dhe s’duan të harrojnë gjuhën amtare.

Mësimi: integracioni shqiptar (në këtë shoqëri) ka mbaruar.

Pësimi: jo vetëm për gëzime në stadiume futbolli a katedra universitetesh por edhe për tmerre si ky i Munihut, shqiptarët janë pjesë e kësaj bote që  këtë vit po heq kaq shumë!