Tag Archives: Gazetat

14 Shtator

Si është kjo puna e gazetave? I lexon ende dikush?

Në kopertinat e librit të Michael Angele (Der Letze Zeitungsleser/Lexuesi i fundit i gazetës) flitet për Thomas Bernhard-in: në fshatin e tij ku jetonte (Ohlsdorf) nuk e gjen NZZ-in. Prej aty merr trenin dhe udhëton në Salzburg. As aty s’ka NZZ. Vazhdon në Bad Reichenhall dhe pastaj në Bad Hall dhe fare në fund në Steyr. Në fund sheh që ka bërë 350 kilometra për të blerë/lexuar një gazetë. Çmendi shkrimtari apo varësi lexuesi? Të dyja ngapak dhe pothuajse të paimagjinueshme sot- 30 vjet mëpas.

Ia vlen të lexohet tërë ky libër për një fakt (që tashmë e kam përjetuar në e për gjuhën shqipe) që po ngjet? Nuk e di…

 

6 Qershor

Pas çdo jete ka një dramë. Drama që gazetarët e përjetojnë në Evropë tashmë mund të thuhet që epilogun e ka në vendet në zhvillim. Sepse vendet e zhvilluara (ato në perëndim)  dalngadalë por sigurtë po marshojnë drejt dramës..

Lexoj për sindikatën e Gazetarëve (DJV) e cila ka vendosur që botuesve t’u vendosë alltinë në gjoks: o më shumë para o grevë. Në katër Landet më të mëdha dhe më të pasura gjermane. 4.5 përqind më shumë rrogë përkatësisht honorar ose ndërprerje pune. Baden-Württemberg, Bayern, NRW dhe Niedersachsen para dilemës.

Mendoj për grevat e mundshme të gazetarëve në Shqiptari apo Ballkan… Zor e mendueshme. E pamundshme.  Epilogu i dramës ballkanike me gazetarinë dihet: migrimi në internet…

3 Maj

Është ajo skena klasike në kioskun e lagjes ku jetoj. Duhet t’i ketë më shumë se 60 vjet. Në vesh ka kufje të cilat janë të formës së MP3 të moçëm. Shitësia vrapon nga qyshku në qyshk, dhe i mbush banakun me revista, revista, revista. Për gra, për pleqëri dhe ajo që çuditë më së shumti edhe për fëmijë.

Sikurse dje dhe të premten e shkuara nga 20 Eurot që i jep shitësi i kthen ca monedha hekuri.

Ku i çon gjithë ato revista?

Vdekja e gazetave dhe gazetarisë?

Megjithatë po. Edhe në Gjermaninë e shpikjes së shtypit, librit.

Nuk ka thënie më të kthjellët sesa ajo e Franz Sommerfeld-it, ish shefit të Koelner Stadt Anzeiger dhe shefit të Shtëpisë Botuese DuMont.

“Gazetarët po e vuajnë fatin e njejtë me atë të priftërinjëve dhe murgjëve pasi u zbulua shtypja e librave. Prej asaj kohe ata nuk ishin më bartësit ekskluziv dhe jo rrallë edhe të dërguarit e Zotit që mund të thoshin fjalët e tij!”.

E ka fjalën për rënien e monopolit të fjalës së shkruar/shtypur. Dhe shpkikjen e internetit.

Sa gra duhet të jenë sot si kjo “fqinja” ime që paguan nga 20 Euro në ditë për gazeta grash….

27 Mars

Me shumë mund e siguroj numrin e fundit të gazetës britanike Indipendent. Ajo që para disa ditësh qe paralajmëruar dje e sot edhe mori fund: shtypja e së majtës së matur britanike e cila së pari u mund nga The Guardian e mëpas dalngadalë por sigurtë ra në tatëpjetën e gëlltitjes së internetit.  Në vitin 1989 Indipendet është shitur më shumë se 420.000 ekzemplarë në ditë. Në vitin 2016 as 40.000 herë në ditë.

Sindromi amerikan dhe ai i vendeve në zhvillim (si në Ballkan- Kosovë, Shqipëri) ka nisur t’i fshijë edhe britanikët.  Më mirë nuk janë as gjermanët, austiakët, zviceranët… e edhe francezët të cilët janë më rezistuesit në këtë drejtim.

Një është e  sigurtë: gazetat e kanë shumë më zor sesa librat…. Në Evropë.