Tag Archives: Iluzioni

21/02

Iluzioni.

Në tavolinën e punës e kam qe sa kohë një libër. Dhuratë nga një mik i mirë. Aq i mirë saqë e kam zor ta “hedhi” në morinë e kaosit apo rendin e harresave në vitrina. Por a lexohet një libër që mban titullin: “Kosova- a Monographic Survey” (Kosova- një Studim Monografik).  Botim i Akadamisë së Shkencave dhe Arteve.  Viti 2013.

Librat që janë “studime” thjesht nuk lexohen. E tëra që njeriu me këto gjëra bën: studiohet, konsultohet, shfletohet pjesë- pjesë… etj.  Gjë që pak a shumë edhe e kam bërë. Dhe s’kam çfarë të them: një libër me kopertina të zeza që është për faqe të zezë. Një libër që s’ka të bëjë asgjë as me kohën që e jetojmë as me kohën që ai nënqiell (Kosove!) e ka kaluar.  Një libër në të cilin historia, shkenca, kultura, arsimi… ah! çdo gjë, nis ftillon në Ilirinë e Moçme dhe përfundon në vitin 1991- nganjëherë 1999 dhe pak fare pak në vitin 2008.  Një libër për faqe të Zezë i cili s’ua bën fijen e nderit as botuesve të tij e të mos flas për autorët në të.

Por edhe një libër i rëndësishëm: sepse (sidomos) ky botim tregon se ku(sh) është Kosova. Një vend i prangosur në robërinë mendore të së kaluarës (personale) të Academician-ëve dhe Analfabetianëve që i kanë aty: çdo ditë e në çdo hap që e jetojnë.

Çfarë iluzioni! Iluzion  që të besohet se në kapërcimin e madh mes kohës (Jugosllavisë!) së Titos, robërisë së Milosheviqit dhe lirisë së arritur nga fëmijët e rritur në robëri- UÇK, intelektualët e ri, të Kosovës a ata të shkapërderdhur nëpër PERËNDIM, se këta Akademcian-ët që tash janë plakur dhe janë mbyllur në atë Anijen e tyre kozimike që ua ka ndërtuar Hashimi, të del një libër hajri.

Çfarë iluzioni të besohet që për Kosovën bëjnë libër ata që kur kanë parë dritën e (nën)qiellit s’ka qenë as qiell Kosove!

Një iluzion që e shpjegon dokumentari i ARTE me titullin kaq domethënës:  Iluzioni Jugosllavi!

Iluzioni që disa Academician-ë të Kosovës që ishin dhe janë prodhim i Iluzionit (Jugosllavi) të bëjnë Monografi për krejt Kosovën dhe kohërat e saj.