Tag Archives: Imre Kertész

31 Mars

Më shumë se një dekadë kishte punuar në “Romanin e të pafatit”. Kur e pat marrë Çmimin Nobel në vitin 2002 për të ai jetonte në një apartament të thjeshtë në Berlin. Nën hijen e Kontit Péter Esterházy dhe të shumë e shumë kolegëve të tij nga Europa e Mesme, të cilët një dekadë pasi komunizmi kishte rënë, edhe ashtu më nuk ishin atraktiv për lexuesit e vendeve të tyre e aq më pak ata perëndimorë.

Pastaj erdhi çasti. Imre Kertész i heshturi dhe thjeshti, i urti dhe çuditshmi, të cilin si një i ri i papërvojë e kisha përjetuar disa herë dhe disa vite në Festivale Letërsie a Panaire Librash- u shfaq në podiumin e fituesit. Nobeli për një Roman që s’e kishte shkruar askush asnjëherë për Holocaustin.

Sot kur lexoj që Kertész  ka vdekur e pyes veten nëse ky libër është përkthyer në shqip?

Dhe mendoj për atë sa me fat duhet të jenë të gjithë ata që lexojnë gjuhë tjera, gjuhë të mëdha.

Është ky ai konflikti i madh i gjeneratave të shkrimtarëve shqiptarë. Atyre të ish-Jugosllavisë (Kosovë e Maqedoni) dhe të Shqipërisë të cilët për dekada të tëra u shërbyen dhe “ushqyen” me gjuhët sllave. Pastaj ra komunizmi, filluan luftërat dhe ngjau ndarja. Dramë e madhe e cila shumë prej tyre i la atje ku ishin dhe u hapi dyert të rinjve. Këta, shkrimtarët e ri shqiptarë nga Ballkani ngadalë dhe dhemshurisht nisën paktin e tyre të ri me frymën oksidentale të kulturës shqiptare. Veçse, logjikisht, prandaj edhe tragjikisht, e nisën atje ku gjeneratat e tyre e kishin lënë: art e krijm, botim e lexim dhe fare në fund edhe vetkrijim e quanin dhe quajnë atë letërsi që u bë në fillimin a mesin e shekullit të kaluar. Edhe më herët bile.

Që i bie: modern është edhe Fernando Pessoa por edhe Guenter Grass, edeh Graham Green por edhe Thomas Pynchon… Hm.

Them që këta shkrimtarë s’janë modern.  Klasikë po.

Nëse kjo ka ndonjë rëndësi? Aspak.

Pyes veten- pas vdekjes së tij, sa do të mbetet nga Imre Kertész.

Romani i tij i të pafatit m’i ngjet shumë kësaj letërsisë shqipe.

Letërsi e të pafatëve!