Tag Archives: internet

31 Janar

Është dita e fundit e Janarit të vitit 2016.

Dua të rekapituloj ditët e këtij muaji. Asgjë e jashtëzakonshme.  Çdo gjë në kuadër të suazës që me gjuhën që e lexojmë në media dmth. brenda normales.

Plot tema, plot takime, plot vetmi.

Çdo gjë brenda normales. Me pyetjet e paevitueshme: pse, cili është qëllimi, të ulet apo shtohet niveli i terapisë që quhet shkrim për publik.  Me kryepyetjen- nëse ia vlen?

Nuk e di. Jam kundër asaj që po thuhet e shkruhet që bota në të cilën jetojmë është botë e cila po e shkatërron shkronjën. Sepse ajo është bërë virtuale dhe po largohet/zhduket nga shtypi/shtypja/printi në formë gazete, formë libri.

E pranoj që edhe vet kam qenë ithtar i kësaj teze. Me muaj e vite të tëra kam mallkuar dhe sharë çdo gjë që kishte e ka të bëjë me internetin. I thoshja, me vete dhe mes miqve, mortaja e cila po shkatërron jetën e autorëve, gazetarëve, njerëzve që e duan librin. Pa lënë anash këtu edhe plumbat tjerë. Atë që Eco para ca kohësh i tha platforma më  e mirë për budallenjtë.

Me muaj e muaj të tërë, i detyruar që të mendoj dhe veproj,  të shkruaj dhe botoj kam ardhur tek ai përfundimi që nëse dua të shkruaj dhe botoj: këtë gjë duhet ta bëja vet.

Dhe kjo vet ma kujton thënien e dikujt shumë të shtrenjtë në këtë jetë e këtë botë: babait tim.  Jo edhe shpesh nxjerri nga xhepat e mendimeve kujtime për të. Dua t’i ruaj vetëm për vete. Prandaj… Por fjalët e tij- për të cilat s’e di nëse ishin të tij apo i kishte nga dikush se “një punë nuk mund ta kryejnë as dy e as tre, as dyqind e as tremijë njerëz… por vetëm një njeri”… më sollën këtu ku jam.

Një punë, këtë punën e shkrimit dhe botimit, tashti edhe de facto duhet ta kryej vet. Të shkruaj vet, të botoj vet dhe tjerat që edhe ashtu dikur i kam bërë vet të vazhdoj t’i bëj vet.

Nuk pendohem që i kam hyrë kësaj pune. Sepse po flas me veten. Po e shpëtoj veten. Nëse ka diç për të shpëtuar. Dhe po i dëgjoj e lexoj miqtë që më thonë.

Është pra ajo magjia e kohës që jetojmë- shkrimi që vjen nga vetmia e panjohur dhe botimi i shkrimit që përfundon po në vetmi dhe formë shkronje tek miqtë dhe lexuesit të cilët s’i sheh, s’i njeh,  s’i din… Kjo ka rëndësi. Secili kontekst tjetër kohor për këtë ritual është i pamundshëm të shpjegohet.

Sepse puna e shkrimit është gjëja më e thjeshtë në këtë jetë: o e ke o s’e ke.

5 Janar

Fjalëkalimi. Pasword-i. Jetoj në vitin 2016 dhe mendoj për vitet 70… kur jam rritur, vitet 80… kur jam shkolluar… vitet 90 kur kam filluar të jetoj… Dhe di që pasword-ët më së shumti ishin në forma numrash- për të hapur  arka të mbyllura. Në ndonjë film, libër, tregim… Fillimi dhe mesi i viteve 90. Kompjuterët. Celularët.  Modemët. ISDN-ët. Çdo gjë nga ajo kohë dhe deri më sot është e lidhur me fjalëkalimet. Ngado që shkon të duhet.  Sa herë që s’më kujtohet pasword-i: i celularit, email-it, wlan-it, dyqaneve virtuale dhe çka jo tjetër që në këtë çast kur e shkruaj e pyes veten nëse ka njerëz që kanë vetëm një dhe të vetmin fjalëkalim. Edhe për t’u futur në shtëpi, edhe për të paguar me kartat e kreditit edhe për ta hapur celularin.  Apo të jenë dikund ca fëmijë të cilët janë duke punuar që njerëzimi sa më shpejt të mos e ketë më këtë brengë.  Që përkundër (mos)cenimit të të dhënave personale të mjaftojë një prekje me gisht apo lidhje e kamerës me retinën e syve dhe qenia njerëzore të hyjë në botën e tij tjetër. Të dytën. Virtualen. Pa iu cenuar privatësia.

Përvoja që ne, pak më të moshuarit e kemi bërë, duke jetuar nga telefonët e kompjuterët e “kohës së drurit”- që i bie vitet 90… do të duhej të na bënte bukur të sigurtë që do të vie një kohë dhe një ditë kur fëmijët tanë do t’i vendosin në muzetë e mëdha aparatet me të cilat filloi diçka që më kurrë s’do të ndalet.

Shpejtësia e IT-së.

Një mrekulli që e kemi përjetuar këtë kapërcim.

Pikëlluese që s’do ta shohim sesi do të duket ky zhvillim pas 100 vitesh!

Në një kohë kur pasword-ët do t’u ngjajnë telefonave fiks të viteve 80 apo modemëve ISDN të viteve 90. Dhe interneti ndihmon ndoshta që në glob të ketë më pak budallenjë sesa që ka sot (Umberto Eco).

Më ndihmon Adorno: nëse një njeri do t’i bëjë përvojat ose jo, në instancën e fundit varet vetëm nga fakti sesi ai harron.