Tag Archives: Isa Mustafa

9 Qershor

Ditët kalojnë dhe njeriu papritmas vetëm kur ndërron moti mirë e mirë e sheh veten… në verë.

Në mbrëmje lexoj për një zv/Ministër të Kosovës që thotë se deri në fund të vitit 2 milion njerëzit e vetëm të Kontinentit që s’munden të udhëtojnë pa viza as këtë vit nuk do ta kenë këtë, çfarë t’i them, privilegj? Sepse për krejt kontinentin është një normalitet.

Është shefi i këtij Zv/Ministrit, që i bie, jo Ministri por Kryeministri i Kosovës, Isa, të cilin më nuk e njoh, ai që thotë jo… do të udhëtojnë qytetarët e Kosovës në Evropë pa viza. Në vjeshtë. Në vjeshtën e vitit që shkoi thoshte se do të udhëtojnë në fund të vitit (të kaluar). Në pranverë thoshte që do të udhëtojnë në Verë pa viza. Dhe tash në verë thotë se do të udhëtojnë në vjeshtë pa viza.

Rrjedhimisht, në vjeshtë, kur nuk do të ngjajë ky udhëtim, do t’u thotë që do të udhëtojnë në dimër pa viza.

Mirë ua bën. Qytetarëve.

Sepse nuk janë qytetarë.

Sepse po të ishin qytetarë të vërtetë dhe të mirëfilltë, do ta kishin ndjekur me dajak prej aty ku është ulur. Por s’janë qytetarë. Janë robë që kënaqen me atë që kanë mbi ta.

Dhe këtë e din ky Isa.

Ciniku që ka fytyrë t’i rren sa herë që flet. Jo veç për viza. Por për çdo gjë që u kishte premtuar.

Çdo popull e ka regjimin që e meriton. Kaq.

 

P.S.

Kam ngrënë dajak disa herë- edhe nga miq të mirë në Prishtinë… sa herë u thoshja dhe shkruaja që s’ka viza sivjet. Doja t’i ballafaqoja me një fakt.