A ka diçka më fisnike sesa kur mendon për miqtë që s’i ke parë qe sa e sa kohë. Nuk e din në kanë menduar, kur kanë menduar si kanë menduar në ty.
Dhe pastaj…. nuk i thërret, nuk u shkruan.
Por vetëm i kujton.
A ka diçka më fisnike sesa kur mendon për miqtë që s’i ke parë qe sa e sa kohë. Nuk e din në kanë menduar, kur kanë menduar si kanë menduar në ty.
Dhe pastaj…. nuk i thërret, nuk u shkruan.
Por vetëm i kujton.
Nuk ka asgjë që mundet të më bind që njeriu kur i kthehet një stacioni (jetësor) të cilin e ka parë e përjetuar i ka mbetur diçka nga aty. Nga aromat përmes pamjeve dhe deri tek rrugicat gjarpërore, herë të asfaltuara e herë të pluhërosura nga rëra e pafundme, rëra e bardhë.
Janë vetëm fytyrat. Fytyrat e njerëzve ato që s’kanë mbetur askund.
Edhe Angelo na ka harruar.
“Ju kam pritur unë ndonjëherë”, pyet ai me një gjermanishte bavareze.
“Natyrisht që na ke pritur”, ia kthej shpejt.
“Pse s’më kujtoheni”, thotë ai paksa i çuditur.
“Sepse para shtatë vitesh kemi qenë më të ri?”, i them sa me ironi aq edhe seriozisht.
Më ofron një cigare dhe përshëndetemi.
“Për t’u takuar sërish”, thotë ai.
“Sigurisht, sigurisht”, ia kthej.
Janë disa çaste në jetë kur i pret më së paku dhe të çojnë të mendosh atje ku nuk pret. Atje ku nuk ndoshta edhe don. Shtresat e holla, të tejdukshme të kujtimeve që të hedhin përtej përditshmërisë dhe pritjeve (mashtruese?) që ajo sjell.
Dhe pastaj deshe nuk deshe truri dhe imagjinata të kthejnë në një kohë e vend ku s’e ke pritur por ja që e ke parë dhe e ke bërë. Vetja të ngjet që ke qenë në qendër të atyre ngjarjeve në mikrokosmosin e zhvillimeve në familje, shkollë, fëmijëri, rini… Si një shirit filmik para dhe në ty sheh ata që ke dashur dhe vazhdon t’i duash. S’ka rëndësi nëse ende janë a s’janë pjesë e jetës sate. Vetëm i lëshohesh atij lumi kujtimesh me skena qetësie, trazime, çaste lumturie apo trishtimi. Nuk ka asgjë që mundet njeriun ta ndal kur i ngjet ky kthim prapa.
Së paku jo kur je vet. Kur askush nuk të trazon në papritshmërinë e vijimit të rrjedhjes së kthimit prapa.
As fjalët nuk duhen për këtë vetmi.
Imazhe, imazhe, imazhe.
Trishtim për kohë që më nuk kthehen.
Mall i pafundmë për ata që më s’janë a s’i ke pranë dhe i ke dashur, i don aq fort.
Pafuqi për të nxjerrë a bërë fjalë për rrjedhat….