Tag Archives: Mozart

4 Mars

Është e premte dhe këtë ditë s’dua të shoh asgjë. Ftesa, e para ca ditëve, nga Vedran që të shkojmë në një koncert me muzikë boshnjake erdhi krejt papritur. Të papriturat janë gjithmonë sfida. Për mirë ose keq. Në këtë rast për mirë.

Ishte vetëm 15 vjeç kur serbët ua dhanë urdhërin ta lëshojnë ndërtesën ku jetonin. Shumica absolute, e fqinjëve e të njohurve- serbë, miqve të babait e nënës, që deri atëherë kishin ndarë me ta të mirat e të këqijat, kishin treguar fytyrat e tyre të vërteta.

“Nga ata që kurrë s’e kishe pritur… do të befasoheshe më së shumti. Fqinjët më të këqi na dolën më të mirët e miqtë më të mirë na dolën më të këqinjtë”, tregon Vedrani kur i kujtohet Trebinje, shkolla, shokët, serbët.

Nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se dy dekada. Tashti është 40 vjeçar. Nga Trebinja në Suedi dhe nga Stockohlmi në Kanada. Sot është profesor i Matematikës në njërën prej shkollave ndërkombëtare më të njohura në Evropë dhe megjithatë vazhdon që të ruajë ato dromcat e vogla boshnjake.

Prandaj ftesa për koncertin e “Divanhana”.

Futemi në sallën e njohur të Liederhalle. Është hapësira e “Mozart Saal”. 500 njerëz. Është plot me boshnjakë- kryesisht të nacionalitetit musliman. Të gjithë, si edhe shqiptarët, të gjermanizuar.

“Divanhana” të cilën në ndërkohë e kam dëgjuar disa herë i ngjet Elina Dunit. Ose edhe Eda Zarit. Ose edhe këto i ngjajnë grupit boshnjak. Elegji popullore të transformuara në jazz. Një dhe e njejta gjë. Është vetëm gjuha ajo që i bën të jenë ndryshe këto këngë e këta këngëtarë.

Popullorja, burimorja është e njejta.

Ai nënqiell Ballkani s’njeh gjë tjetër pos dhembjes dhe vuajtjeve.

Klithjen e të cilave e dëgjon edhe Salla e Mozartit në Stuttgartin e 4 Marsit të vitit 2016.