Tag Archives: Murakami

24 Nëntor

Nuk është çudi që as çudinë nuk e sheh më si çudi.

Të jetë dimri që megjithatë ende nuk është dimër i egër ai që të ndalon të ndalosh dhe shohësh rreth teje: njerëz që vrapojnë- stacioneve, autostradave, zyrave, oborreve të shkollave apo kopsheve…. stacioneve virtuale të Facebookut apo televizorit?

Apo të jetë Murakami me eseun e tij për Shkrimtarët?

Është e fundit.

13 Tetor

Nuk ishte i pari as i pesti. Në bastoret e Londrës. Fakt është: emri i tij përmendej tash e sa vite por që Bob Dylan do ta merrte sivjet Nobelin për Letërsi- këtë s’e kishte pritur askush.

Dhe tashti kur lexoj gjithë këto himne për të- s’kam si të mos konstatoj një fakt sa i turpëruar aq edhe lehtësuar: Nobelisti i parë librat e të cilit s’i kam lexuar kurrë. Por edhe Nobelisti i parë i cili më përcjell tash 30 vjet të jetës sime. Me  tinguj muzike dhe vargje lirike.

Bob Dylan poet? Po. Por para së gjithash muzikant. Artist. Performues. I thellë. Dhe: gjeni.

A gjejmë ndonjë teori konspiracioni?

Philip Roth, Kundera, Murakami, Ismaili… Asnjë prej tyre.

Të jetë vërtetë ashtu që ato gra dhe ata burra të Stockholmit thjesht kur i thonë një diçka jo edhe të rrijnë prapa asaj “jo”-je?

S’e kam idenë.

E kam vetëm një mendim: Dylan e meriton këtë çmim dhe pikë. Sepse koha që e jetojmë është kohë e keqe, kohë e pistë, kohë e shpejtë, kohë e shpifur, kohë që gllabëron me çdo gjë vetveten. Kohën.

Përfshirë edhe leximin. Librat. Letërsinë. Poezinë po se po.

Nuk dua të mos e pranoj që s’jam i pikëlluar dhe trishtuar që këtë çmim s’e mori një Kadare, Roth apo Murakami.  Duke e shtuar edhe apo sidomos “defektin” profesional- të qenmit nga e njejta “fushë”- në të cilën ka vend për të gjithë.

E me Bob Dylan pajtohemi të gjithë: edhe ata që s’lexojnë edhe ata që s’e kanë lexuar edhe ata që s’do të lexojnë!

Edhe ata që e duan Amerikën por shumë më tepër ata që e duan lirinë. Dhe Amerika e Liria janë një dhe e vetmja gjë. Së paku malli për të. Nëse është nevoja edhe lufta.

Nëse për asgjë tjetër, Akademisë këso radhe, sidomos këso radhe, duhet t’ia pranojmë këtë verdikt sepse… sepse a ka Çmim Nobel për Muzikë?

Nuk ka.

Prandaj duhet të jetë edhe hera e parë që ky Nobel do të shkojë tek një muzikant. Që ka shkruar vargje gjeniale.

Vargje që s’do t’i lexoj kurrë.

Por do të vazhdoj t’i dëgjoj.

Psh. sonte!

https://www.youtube.com/watch?v=ZtAuxH3Mglk