Tag Archives: Ramush Haradinaj

11/06

Paradite.

Zgjedhje në Kosovë. I shoh më mirë prej larg.

Jam për Ramushin.

Për një shkak tjetër: fitorja e tij do të ishte Ahistorike. Fitorja e tij do të ishte kundër traditës së tmerrshme të Kosovës në të cilën kurrë nuk ka ngjarë që një njeri, politikan, luftëtar për atdheun, të gjykohet po për kauzën e atdheut dhe pastaj të kthehet si fitimtar në Fron.

S’ka ngjarë deri tashti.

Një normalitet nëpër të cilin kanë kaluar popuj perëndimorë dhe liridashës.

Prandaj them: fitorja e Ramushit do të ishte fitore për Kosovën.

Dhe vendin e saj në botën e civilizuar.

 

Buzëmbrëmje 21:13

Hapet një kapitull i ri i Historisë së Kosovës.

Fitorja, e them sërish, Ahistorike e Ramushit… e bën normale Kosvoën.

 

 

 

02/03

Edhe një korridor që i thonë muaj- në Procesin e Ramush Haradinajt në Francë.

Kafka jeton.

Tek shqiptarët më shumë se askund tjetër kur “drejtësia” dhe drejtësia janë në pyetje.

 

08/02

Ua kam këtë pyetje që të treve. Së pari Fatmirit (Limajt), së dyti Ramushit (Haradinajt) dhe së treti Albinit (Kurtit).

Fjalë për fjalë dhe veç e veç: “Keni parë apo dëgjuar ndonjëherë që në historinë e Kosovës, një i burgosur për politikë… për çfarëdo politike- nga NDSH-istët përmes Adem Demaçit deri tek (ja po i them!) Azem Vllasi a Remzi Kolgeci (se do ti, edhe këta kanë qenë në burgje…) të jenë kthyer në poste politike publike?… Dhe deri tek ju… tre”?!

Fatmiri, Ramushi, Albini.

Treshja e cila prejse është liruar nga burgu janë me e në parti por në poste publike nuk arritën që nuk arriten të hyjnë a kthehen.

(E kam pyetur edhe Adem Demaçin për këtë çështje… Por s’është vendi ta them përgjigjen e tij)

Dhe tani: a i kujtohet dikujt se çfarë flitej dhe diskutohej para një viti? Para një viti krejt Kosova shikonte drejt 17 Shkurtit. Jo festës së përvjetorit të pavarësisë. Por festës së tubimit të opozitës. Opozita atbotë quhej dhe bëhej nga VV!-ja, AAK-ja, Nisma e plot popull…

Nuk ua njoh partitë sepse s’e di si funksionojnë dhe veprojnë.

Ua njoh historinë, vuajtjet, “çështjen” dhe çështjen për të cilën kanë rënë e janë dergjur nëpër burgje të Beogradit e Hagës…

Dhe i shoh sot, që të tre: njëri (Fatmiri) i rrënuar përtoke me akuza bizare për vrasje; tjetri (Albini) i njollosur me akuza fashiste pse shëtit vajzën e tij me karrocë në një fshat të Europës dhe Ramushi i kapërthurur mes paqartësisë dhe pabesisë me të njejtat tema të cilat i ka përmbyllur qe 3 vite.

Që të tre të katandisur.

Për një shkak dhe me një dënim: sepse s’e çuan deri në fund punën që e nisën para 1 viti.

Dhe tash pyes dhe pyetemi për pse-në?

Them se do të vazhdojnë t’i katandisin derisa të mos e kuptojnë që të tre, ndaras a bashkë që nëse edhe njëherë do t’ju vie shansi duhet ta PËRMBYSIN këtë regjim që e ka burgosur një vend dhe një popull.

Sepse çlirimi i kësaj Kosove kështu nuk do të vie as nga Zoti i cili seç e ka atë-ndihmomë pak të të ndihmojë shumë…

05/01

Asgjë nuk është e rastësishme në këtë botë, në këtë jetë.  Më së paku në ditët e netët e sotme. Ditë e netë kur brenda ca sekondash, me ndihmën e kompjuterit, telefonit, internetit mund ta lexosh a shohësh historinë e planetit, oqeaneve, kontinenteve, shteteve, kombeve, luftërave, heronjve. Vetëm ca sekonda dhe mund të shohësh kush është kush. Prandaj tema nuk është më se kush ke qenë por vetëm ku do të dalësh. Dhe sidomos nëse ka algortima (edhe politike) për atë që të pret.

Ja psh. Amerika.  Tërë debati në Washington e New York pas fitores së Trumpit nuk është nëse dhe si Hillary gaboi por kur dhe si rusët arritën të futen në kompjuterët e superfuqisë që i thonë Amerikë.

Këtë gjë e mendoj derisa lexoj për dje ndalimin dhe sot paraburgosjen e Ramushit në EuroAirport Basel Mulhouse Freiburg. Dhe pyes veten: ka diçka që për Ramushin nuk gjen në internet?  Nuk ka.  Çdo gjë: nga të këqiat që zor se njeriu mund t’i paramendojë me logjikë të shëndoshë njerëzore e deri tek glorifikemet që s’i shkojnë as kohës e vendit as atij. Dhe pyetja tashti nuk është pra të kërkohet e kaluara e tij. Përfshirë edhe ajo e Tribunalit të Hagës.

Dilema duhet të jetë: cili kompjuter i cilit shtet a shërbim (superfuqi?) vendosi që ta fuste në përdorim të shkurtër këtë “ndalim” të tij.  Kësaj pyetje nuk mund t’i përgjigjem. As unë, as ti… as askush.

Patjetër që pasojat e kësaj ndalese do të dihen shpejt.  Krejt tjerat janë histori.  Dhe para së gjithash ironi.

Ironi së cilës kompjuteri zor që i ndihmon. Ngase algoritmet s’janë inteligjente. Përkundrazi: vrasin me akullësinë e përllogaritjes si ajri i këtij dimri fillimjanari.

Tekefundit është historia e konflikteve dhe luftërave ajo që na mëson: sa herë që dy perandori, kombe, të vogla e mëdha, të rëndësishme a parëndësishme, nëpër dekada e shekuj kanë ulur heshtat dhe i janë kthyer paqes e pastaj edhe bisedimeve, para se të bëjnë çdo gjë tjetër menjëherë kanë përmbyllur dy tema: çështjen e të pagjeturve dhe çështjen e të burgosurve.

Shqiptarët (e Kosovës) me Serbinë jo.

As që i kanë hapur (siç duhet këto dy tema) e lëre më që i kanë përmbyllur.

Pse? Sepse i kanë hyrë në punë Hashimit me kompani poaq sa Serbisë e cila e ka zor t’i tregojë krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve. Prandaj Serbia ia kthen Hashimit: e redukton krejt konfliktin e Kosovës në krimet që shqiptarët kanë bërë ndaj serbëve por edhe shqiptarëve. Dhe pastaj çudia që vjen tek llogaria që quhet: Gjykatë Speciale. Për të cilën Hashimi thotë që u bë sepse u vranë dëshmitarët.  Cilët dëshmitarë se? Dick Marty?

Kosova është keq. Aq keq sa këtij nënqielli në këtë terr politik, ekonomik, kulturor, psikologjik, shpirtëror e fizik i mbetet vetëm një ngushëllim: nuk e dijnë shumica e qytetarëve të atij vendi sa keq është sepse përndryshe qysh sonte do të ishin arratisur masovikisht. Burg për burg them se më mirë do ta kishin në Burgun e Ramushit sesa  në burgun që ua ka ngritur Hashimi me kompani.

Athua ta dijnë kompjuterët (e superfuqisë) këtë gjë?