Tag Archives: Rexhep Bajrami

19 Mars

Vdekje. Vdekje. Vdekje. I ngjet asaj thatësisë e cila s’don që s’don të sjellë edhe një pikë shiu. Atij shiut i cili s’pushon së rëni dhe vërshon çdo gjë që ka mbi tokë.

S’paska forcë as shkronja. Shkronja që s’e fsheh dot se sa e rëndë qenka kur të të vdes një mik i madh. Oh sa dhemb. Shembet shpirti. Dhe s’e ke forcën të lëvizësh as në mal, as në qytet, as në dhomë të punës, as në Königstrasse, as në “Marshall”.

Mizoria e të qenmit prapa kur të ikën një mik i mirë, prej më të mirëve. Një mik i madh. Një mik i pazëvendësueshëm. Në ditë të mira dhe sidomos të këqia.

I ri. Kaq i ri. Siç ishte Rexha i cili s’i mbushi as 50 vjet duke ikur në botën e përtejme.

Përzierje imazhesh, kujtimesh, udhëtimesh. Dhe dhembje dhembje dhembje.

Duhet të ketë qenë libri. Corazón tan blanco /Zemra ime kaq e bardhë, e Javier Marias-it ishte gjëja e parë për të cilën me Rexhën në mesin e viteve 90 filluam bisedat tona të para. Biseda që u zëvendësuan në ndeja, ndeja që kaluan në shoqëri, shoqëri e cila u shëndërrua në vëllazëri.

Mundem të betohem në çdo gjë që nuk ka gjë më të vështirë sesa të tregohet për një njeri çfarë ishte Rexha. Dhe në këtë do të betohen edhe të gjithë ata që e kanë njohur- privatisht dhe profesionalisht.

Edhepse lehtë i përshkrueshëm: me trup prej basketbollisti, shikim prej shkëncëtari, parashikime prej profeti, mendje më tepër se të mprehtë, shkathtësi që s’mund të krahahasohen, Rexha para së gjithash kishte atë që Javier Marias e kishte shkruar në romanin e tij për përkthyesit: Zemrën aq të bardhë!

Kurrë s’më ka treguar nëse ai libër kishte shkaktuar edhe dashurinë e tij të madhe për Spanjën dhe spanjollët. Apo të ketë qenë ai libër doracaku, formula, magjia, e cila e kishte bërë të jetë një prej përkthyesve më të mirë që kam njohur në jetën time. Rexha ishte njeriu i cili s’ka mundur dhe s’ka ditur ta dëshpërojë kurrë askënd. Ishte njeriu i cili s’mund të duronte vetëm një gjë: paditurinë. Edhepse i madh me shtat, injorantëve gjithmonë u ka qëndruar larg. Përkthyesi, administratori, bashkëpunëtori i cili ka ditur aq shumë dhe kurrë s’e ka shkelur kodin profesional. Para lufte kur punonte me Bujarin e Isën në Bonn. Pas luftës kur punonte me veten e tij dhe përkthente për delegacionet e larta shtetërore në Gjermani e Kosovë. Për të gjithë pa përjashtim. Nga Kancelarja Merkel e më poshtë…

Kurrë s’do t’i harroj fjalët që një shkrimtar gjerman, Gernot Wolfram, ia thoshte gjatë një udhëtimi në Ulqin Rexhës… Rexhë e kam vendosur të të kthej në Gjermani sepse më duket që e ke huqur vendin. Ti s’je nga Kosova. T’i s’je shqiptar. Ti je gjerman e shkuar gjermani.

Natyrisht që s’ishte veç Wolfram ai që s’e kishte kuptuar vendimin e tij për kthim nga Gjermania në Kosovë. S’e kishin kuptuar sepse në pyetje ishte dashuria e tij. Për Arjanën. Për shqiptarët. Për vendin e tij.

Rexha është, ishte, ai njeriu shqiptar i Kosovës i rritur dhe ngritur në Gjermani i cili në Kosovë nuk shihej por për këtë gjithmonë ishte aty. Dhe ai vend s’mundte, s’donte, s’lejonte t’ijepte vendin që meritonte. Edhepse i kishin ofruar nga “ai” apo “ky” krah. Por kurrë s’pranoi.

Sepse s’donte të ishte pjesë e turmës së teknokratëve.

Sepse Rexha, ishte elitari.

Ishte ai që Kosova, shqiptarët, por edhe Gjermania dhe gjermanët, që kanë patur punë në politikë, kulturë, letërsi me shqiptarë… s’do ta kenë kurrë më.

Dhe kjo mungesë do të jetë e madhe. Do të jetë aq e madhe sa do ta ndjejnë të gjithë.

Rexhë, do më mungosh gjithmonë.

Pusho i qetë miku im.

NJERIU ME ZEMRËN AQ TË BARDHË!