Tag Archives: Richard Swartz

Dita e katërt

Me vete kam marrë vetëm një libër. Richard Swartz si zakonisht ka porositur shtëpinë e tij botuese të ma dërgojë librin e ti më të ri. Blut, Boden & Geld. Gjak, Troll & Para. Richard-i është nga Skandinavia dhe nuk e besoj të ketë një suedez të gjallë që e njeh më mirë Ballkanin sesa ai.

Kam patur fatin ta takoj në fund të viteve 90 dhe prej atëherë jemi miq shumë të mirë. Për të precizuar, nga Richardi gjithmonë kam mësuar dhe vazhdoj të mësoj. Respekti që kam për të është i pakufishëm. Të kalosh kohën me të dmth. të fitosh. Dije, përvojë, informatë, shikim të kthjellët, kulturë, humor… Richard është skandinavezi i madh i Ballkanit të vogël. Fakti që ka zgjedhur të jetojë në Vjenë dmth. që kurrë s’ka mundur të jetojë pa tokën e këtij nënqielli. Si korrespondent i Svenska Dagblat kishte bërë intervista edhe me Titon por edhe me Enver Hoxhën. Si kolumnist i kësaj dhe gazetave tjera suedeze por edhe europiane ai s’ka rreshtur së shkruari për komunizmin e Titos, Enverit, Çausheskut… luftërat e përgjakshme të viteve 90, pasluftën me liritë dhe dëshpërimet… Nuk ka qytet të Ballkanit dhe Europës së mesme, dhe kjo për të fillon me Vjenën për të vazhduar me Lubjanën, Zagrebin, Sarajevën, Beogradin, Prishtinën, Podgoricën, Tiranën, Shkupin por edhe Budapestin e Bukureshtin, ku ai nuk ka miq, ku nuk i bëhet konak. Nuk është nga ata të zëshmit dhe reporterët frontal . Shumë më tepër është një udhëpërshkrues i shpirtërave të këtyre popujve.

Libri i ri i tij më i ri, shoh që është një histori krejt e pazakonshme.

Historia e pikëshikimit të dhëndërrit për miqtë e tij (kroatë)- familjen e bashkëshortes së tij Slavenka Drakuliqit.