Tag Archives: Rupert Neudeck

1 Qershor

Nuk jam ulur tërë ditën në tavolinën e punës dhe gjëja e parë që e bëj është: shfletoj ballinat e gazetave kryesore gjermane. Vetëm ballinat. Dua të shoh nëse ka ndonjë që s’e ka dhënë lajmin për vdekjen e Rupert Neudeckut. Jo vetëm që e kanë: nga Bild e cila Nekrologjinë e ka dhënë në ballinë përmes FAZ e SZ dhe deri tek shtypi rajonal… s’ka medium që s’e lajmëron lexuesin për vdekjen e Njeriut Shpëtimtar të Njerëzve! Para sysh më del një buzëqeshje e embël, thellësisht njerëzore dhe poaq inteligjente e tij.

Kurrë s’do ta harroj bisedën me të për Sartre dhe Camus për të cilët edhe ka doktoruar. Dhe misterin që e bartë atë grindje të shekullit në Paris. Tezës sime që ishin hidhëruar për shkak të grave (Sartre e kishte xhelozuar Camus-in e pashëm) edhe ai i rrinte afër… bashkë me punën e majtizmit (Sartre komunist, Camus antikomunist) por gjithnjë insistonte në një fakt të cilin edhe ia pranoja sepse kishte të drejtë: mungonte çasti, shembulli, dita dhe data kur ishin ndarë përfundimisht. Jo e përfolura por e shkruara. Dhe Rupert ishte i bindur që diç e tillë duhej të ekzistonte. Ky detaj e ka përcjellur deri në botën tjetër.

Si besimtar që ishte… shpresoj t’i takojë në atë botën tjetër të dy! Qofshin në ferr apo parajsë. Ai do t’i gjejë. Si një apostull, i dërguar i forcave tjera, nëse ka jetë përtej, Rupert Neudeck, i sprovuar me krejt botërat me siguri që e ka vizën për të shëtitur në të gjithë rrathët e mundshëm të asaj bote… Sepse ka bërë kaq shumë për njeriun (e vuajtur) të kësaj bote.

31 Maj

Dita e fundit e muajit Maj të vitit 2016. Këtë ditë vdes Rupert Neudeck. Një njeri e mik i madh. Mik i të gjithëve por edhe mik i secilit që e ka patur rastin e fatin ta takojë dhe shoqërohet me të.

Kam patur rastin edhe ta takoj edhe të jem mik i tij.

Kam shumë tregime për Neudeckun dhe ato janë të pafundme…

Kurrë s’do ta harroj vullnetin e tij për të ndihmuar gjatë luftës së Kosovës.  Neudeck si humanist i masave. Kurrë s’do t’i harroj prezantimet e përbashkëta me të në TV e radio gjermane për Kosovën, Ballkanin. Animuesin e madh të gjermanëve për Ballkanin në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti. Dhe kurrë s’do ta harroj anën krejt private të tij, kur djali i W. Ischingerit i kishte marrë jetën vetes dhe në letrën e lamtumirës i kishte lënë porosinë babait të tij që trashëgimia e tij t’i lihet Neudeckut i cili duhej të ngriste një shkollë në Kosovë…

E kam të vështirë të flas e shkruaj për të kur shoh aq shumë shkrime, postime, kujtime, imazhe: nga njerëz të thjeshtë e deri tek qeveri e udhëheqës shtetesh që e kujtojnë.

Të gjithë bukur të parëndësishëm para veprës së pavdekshme dhe gadi të paimagjinueshme në kohën që e jetojmë: humanizmin!