Tag Archives: Saras

Dita e tretë

E hëna e parë. Mendoj në ëndërrat që kam parë tërë natën dhe asnjë s’më kujtohet. Vetëm ca fytyra njerëzish që njoh nga puna e jeta më shfaqen vetimthi. Por s’ua lidhi dot fillin. Pse, si e ku i kam parë ata apo veten me ta s’më kujtohet. Duhet të jetë kapja e detit, ajri, vapa…ato që ndërrojnë kiminë e trupit dhe trurit. Një diell që ngroh dhe huton. S’mjafton asgjë ta zbusë- as uji i kthjellët i cili sot s’guxon e s’mundet as të rezistojë.

Rëra e badhë mezi shkelet me këmbë.

Peshqit që të hutuar përzihen me këmbët e notuesve të rrallë. Fëmijët që njëri tjetrin shohin nga largë kur ecin edhe dhjetë e njëzet metra në ujë pa sharruar në thellësitë e tij. Duhet të jetë kjo qetësi e këtij ishulli ajo që tërheq këta pak pushues të ndjehen jashta botës.

Duhet të sillem ashtu.

Një zgjuarje (e zakonshme?) në pesë të mëngjesit. Dhe vazhdim i pazakonshëm i gjumit deri në 8:00.

Një lidhje prej gjysmë ore me botën (përmes internetit).

Një ditë e gjatë në plazh. Drekë. Siesta. Plazh.

Darkë. Lidhje me intenet. Është 1 Gusht dhe me 1 Gusht vjen Saras-i i ri nga Tirana. E shkarkoj dhe lexoj pa rreshtur në të. Ka plot gjëra që më bëjnë t’i gëlltis, edhe më shumë t’i sodis dhe më së paku t’i kaloj pa i lexuar. Një nga numrat më të mirë të Sarasit që kam lexuar deri më tashti. Seç po rritet kjo revistë dhe kjo, po që më gëzon pa masë. Më në fund diçka për të cilën ia vlen të pritet fundi e fillimi i një muaji. Tradita (shqiptare) më në fund vazhdon. Pas një hullie prej dekadash. Flm Alda!

2 Qershor

Përtej klisheve klasike gazetareske në të cilat provohet të shpjegohet se kush ishte Max Frisch apo të rrëfehet për të papërsëritshmen Ingeborg Bachmann.  Ishte sidomos dashuria por edhe obesioni (posesioni?) që këta kishin për njëri-tjetrin sa ishin bashkë si çift… dhe lufta mëpas. Luftë nga e cila dolën dhe mbetën vetëm cifla në formë shkronjash që bënë fjalët dhe fjalitë që u shëndërruan në rrëfime të cilat morën maja mitesh…

Këtë e shpjegon Anila në një ese/tregim/ për zviceranin e famshëm dhe austriaken namëmadhe tek Saras-i i Qershorit.  Tekst i preferueshëm të lexohet edhe nga ata që i njohin tekstet e Frischit e Bachmannit edhe ata që s’e kanë idenë kush ishin ata. Anila shkruan shqipen e shkëlqyeshme dhe rrëfen si një tregimtare universale: si gjermane, austriake, europiane. Përtej klisheve.

Mësoj shumë gjëra për Frisch e Bachmann të cilat s’i kam lexuar as ditur kurrë. Sidomos për miqësinë e kësaj të fundit me Hans Werner Henze…

Do t’ia preferoja çdokujt këtë tekst që është  një perlë në shqipe për titanë të letërsisë gjermanishtfolëse… dhe kurthet e lidhjeve të dashurisë e cila në këto raste ka një kosto të lartë- njerëzore. Dhe, sërish dhe, produkt letërsinë e cila në një formë a tjetër, përkundër vuajtjes së tyre- sidomos Bachmannit, ka kontribuar në mitizimin, pavdekësinë e letërsisë së tyre. Dashuria (tragjike) si mjet për betonizim të dashurisë dhe luftës në kohën e paqes së viteve 60/70. Them se edhe për këtë tregon Anila.

Para së gjithash ajo në shqipe u tregon kolegeve e kolegëve sesi shkruhet për këto  e  këso punësh. Në mënyrë krejt diskrete dhe të paanshme. Me plot informata të cilat kanë vetëm një dhe të vetmen autorësi (vulë): atë të vet asaj.

2 Maj

Një kthim i vrullshëm i pranverës. Nuk ka gjë më të padurueshme kur ke teshtima e kokëdhembje në një ditë me diell e cila ashtu papritmas ta bën me sy ta përqafosh dhe s’e ke fuqinë ta shijosh…

Regjim shtrati, aspirinë dhe lexim.

Një reportazh i gjatë i Julias në FAS për revolen me të cilën Wolgang Herrendorf para 3 vitesh i pat marrë vetes në Berlin dhe tashti… ajo revole është në Marbach- mes penave të Goethes dhe pushkëve të djalit të Schillerit…

Një Saras befasues. Jo me klieshtë e burgjeve por me ballafaqimin e gjerë- të thellin dhe shumëfishtin të letërsisë së burgut…

E lë pranë tryezës së gjumit në shtrat. Revistat lexohen edhe shtrirë…

 

4 Prill

Më vijnë dhe nuk më çudisin dy apo tre reagime për Saras-in. E kam zor të përgjigjem. Sepse e them aty: tema e mirë. Mund të shtoj: tema aq aktuale edhe në krejt botën. Edhe editoriali e arsyetimi i botueses është i duhur.

Por jam, vazhdoj të jem, i trishtuar dhe shokuar me përmbajtjen e teksteve në të. Autorëve të ftuar. Më mungon çdo gjë në ato tekste: nga përulja dhe për këtë, për të folur me plakun nga Mississippi, përmasat e dështimit (vetenak) në përshkrimin e punës… në hartimin dhe mëpas botimin e veprave dhe veprës.

Më trishton sallamadia e përshkrimeve të këtyre apo atyre autorëve shqiptarë  që jetojnë në Ballkan dhe sidomos ata që janë larg tij dhe me këtë edhe kapen me gjuhë të mëdha të botës.

Dhe para së gjithash më mungon aktualiteti. Tema që kanë të bëjnë me temën…. Kafkën dhe autobiografinë. Apo Pessoa-n dhe shumë Pessoa-t prandaj edhe shumë autobiografitë… Pa folur për këta më të fundit: Houellebecq , Bolaño -n, David Foster Wallace apo edhe absolutisht të çmendurin, norvegjezin Knousgard…

Për shqiptarët s’dua të hyj fare. Shqiptarët shyqyr që kishin dhe kanë këtë Kadare. Tjerat janë etj. etj.

Sepse, dhe s’kam si të mos e them edhe këtë, s’ka pse të jetë letërsia më mirë se krejt shqiptarët. E krejt shqiptarët vazhdojnë të jenë prapa. Në vagonat e fundit të kohës që jetojnë.

3 Prill

Më pëlqen ballina dhe gjetja e Saras-it të Prillit.

Pasqyra prej letre. Që i bie: autobiografia dhe shkrimi (i shkrimtarëve).

E printoj dhe lexoj e lexoj e lexoj.

Dhe dëshpërohem.

Çdo gjë fillon me “Simonë Dë Bovuar” dhe përfundon me Graham Green.

Bull Shit-e të shkruara në shqip në Prillin e vitit 2016!

 

8 Janar

“Malli i shtampës” i Ernest Koliqit te “Shejzat”. Nuk është që më shkruhet dhe sidomos komentohet. Pothuajse një vit të tërë s’kam komentuar gjë për publikun shqiptar.. Atë gjermanofolës po- edhepse shumë rrallë.
Autorët janë sikurse fëmijët. I gëzohen çdo lavdi. Sepse veç lavdia ua jep atë ndjenjën zor të përshkrueshme prej fëmiut. Secili që thotë diç tjetër gënjen.

Po si të bëhet me ata që qëndrojnë prapa botuesve? Përkthyesit-nëse përkthehesh në gjuhë tjera. Botuesit- nëse bën libra, revista apo të dyja së bashku.

Më vijnë disa porosi që kam një tregim në “Saras”. Revistë në gjuhën shqipe që bëhet në Tiranë. E bën Alda. Duke menduar në të këto ditë- dhe herën e fundit kur e kam takuar- duhet të së paku 10 vite…  në një email për 20 njerëz marr edhe revistën në email. I falemnderohem shkurtimisht por nuk i tregoj edhe ashtu që e përcjelli punën e saj. Punën e saj? Më shumë se punën. Në turbo shoqërinë shqiptare të bësh libra të mrekullueshëm të top-autorëve shqiptarë dhe botërorë. Të bësh edhe revistë mujore për letërsi (!) në këtë shqiptarinë e sotme është sikurse të mbash mbi supe atë gurin e mëkatit rreth e rrotull- jo një kishe a xhamie por një bordeli publik që i thonë politikë. Alda e heshtur por këmbëngulëse. Gjithmonë në prapavi por për këtë e paeupur në ndarjen dhe botimin e asaj që mendon se i duhet lexuesit- në shqip. Nuk e kam idenë se ku e ka marrë atë tregim të cilin e kam shkruar para se e sa vitesh. T’ia kem dërguar? Ta kem botuar dikund para sa e sa vitesh? S’ka asnjë rëndësi.

Kur jemi tek Saras-i. Marr e lexoj edhe njëherë eseun e Anilës për “Dita Ditës” të Terézia Mora-n. Më në fund. NJë punë disa vjeçar e Anilës për ta përkthyer në shqip këtë vepër kaq të rëndësishme e cila bile tek Alda gjen publik përmes Anilës. S’e besoj që do ta lexojnë shumë njerëz. Dhe kjo s’ka shumë rëndësi. Le të jenë edhe 20 lexues të cilëve… posa ta kenë mbyllur kapakun e fundit të “Dita Ditës” do ta shohin që në jetën e tyre ka ngjarë diçka e re dhe rrallë e përjetuar më parë: do të ishin më të varfër po të mos e kishin lexuar “Dita Ditës” të Terézia Mora-s.

Në tavolinë e kam eseun e fundit të autores gjermano-hungareze. Nuk është një por janë disa.  “Nicht Sterben”.

S’ka vdekje. Dy A-të  janë një shembull që s’ka vdekje. “Malli i Shtampës” s’len dot.