Tag Archives: Sartre

1 Qershor

Nuk jam ulur tërë ditën në tavolinën e punës dhe gjëja e parë që e bëj është: shfletoj ballinat e gazetave kryesore gjermane. Vetëm ballinat. Dua të shoh nëse ka ndonjë që s’e ka dhënë lajmin për vdekjen e Rupert Neudeckut. Jo vetëm që e kanë: nga Bild e cila Nekrologjinë e ka dhënë në ballinë përmes FAZ e SZ dhe deri tek shtypi rajonal… s’ka medium që s’e lajmëron lexuesin për vdekjen e Njeriut Shpëtimtar të Njerëzve! Para sysh më del një buzëqeshje e embël, thellësisht njerëzore dhe poaq inteligjente e tij.

Kurrë s’do ta harroj bisedën me të për Sartre dhe Camus për të cilët edhe ka doktoruar. Dhe misterin që e bartë atë grindje të shekullit në Paris. Tezës sime që ishin hidhëruar për shkak të grave (Sartre e kishte xhelozuar Camus-in e pashëm) edhe ai i rrinte afër… bashkë me punën e majtizmit (Sartre komunist, Camus antikomunist) por gjithnjë insistonte në një fakt të cilin edhe ia pranoja sepse kishte të drejtë: mungonte çasti, shembulli, dita dhe data kur ishin ndarë përfundimisht. Jo e përfolura por e shkruara. Dhe Rupert ishte i bindur që diç e tillë duhej të ekzistonte. Ky detaj e ka përcjellur deri në botën tjetër.

Si besimtar që ishte… shpresoj t’i takojë në atë botën tjetër të dy! Qofshin në ferr apo parajsë. Ai do t’i gjejë. Si një apostull, i dërguar i forcave tjera, nëse ka jetë përtej, Rupert Neudeck, i sprovuar me krejt botërat me siguri që e ka vizën për të shëtitur në të gjithë rrathët e mundshëm të asaj bote… Sepse ka bërë kaq shumë për njeriun (e vuajtur) të kësaj bote.