Ka disa javë që vazhdoj ta shytej. Ta ndrydhi. T’i iki. Të mos e mendoj. Dhe para së gjithash të mos e pranoj. Faktin. Realitetin
Vazhdoj të medoj edhepse s’dua, ngurroj, refuzoj të mendoj.
Para syve më dalin pamje, fjalë, dialogje, monologje, qeshje, heshtje, komente, shikime, psherëtima, udhëtime…. udhëtime të pafundme… kujtime të trazuara.
Takimet e para në Bonn në vitin 1996. Bisedat mëpas. Vizitat në zyra e daljet në restorante e kafene të Godesbergut. Shëtitë e gjata pranë Rhein.
Për të mos u ndalur kurrë më. Ajo faza e parë e miqësisë mes dy njerëzve që janë aq ndryshe. Nga fizikusi- njëri i gjatë me trup dhe tjetri i shkurtër, përmes impulsivitetit- njëri natyrë e qetë deri në padurueshmëri për atë qetësi jo këmbëngulëse dhe tjetri gjithnjë në prag të eksplozivitetit me çdo gjë rreth tij dhe në të.
Një miqësi e cila nuk obligon prandaj edhe qëndron. Edhe kur je pranë edhe kur je largë. Edhe kur je keq edhe kur je mirë. Një miqësi e cila s’ofron asgjë prandaj edhe qëndron. Sepse nëpër të përshkruhen libra, filma, rrëfime e pranime historish familjare dhe personale, bëhen plane e shihen ëndërra, ka kthesa të papërballueshme në realitet dhe gëzime të papritura. Edhe kur s’e pret por edhe kur e din që do të ndodhë
Bonn. Berlin. Frankfurt. Stuttgart. Munih.Duesseldorf. Muenster. Prishtinë. Dukagjin. Ferizaj. Ulqin…
Të gjitha këto stacione më parakalojnë derisa kujtoj R. I shtrirë në Spital dhe i sëmurë rëndë. Dy vjet më i madh se unë.
Paramendoj sesi do të buzëqeshte në këto çaste po t’i kishte lexuar këta rreshta. Dhe do t’i deshifronte. Më parë s’do të komentonte.
Çdo telefonatë me familjen e tij, me miqtë që provojnë të ndihmojnë. me kthimin në kujtime më merr aq shumë forcë. Më harxhon edhe atomin e fundit të idesë dhe para së gjithash koncentrimit për të qenë Optimist.
Shkallmim që nuk përballohet. Kur je i pafuqishëm të mendosh. Dhe shpresosh.
I mbërthyer në pafuqi dhe dëshpërim. Shoh vetëm zi dhe kujtime të turbulluara të cilave s’mundem t’u përballoj.
Të kesh të sëmurë dikënd në familje dmth. që tërë familja është e sëmurë.
Të kesh një mik të sëmurë dmth. të jesh edhe vet i sëmurë.
Sepse nuk ndihmon as shkronja që shkruhet.