Tag Archives: Stuttgart

14/05

VFB Stuttgart në Hannover dmth. humbje.

Dhe shtyerje e festës pas një jave për kthim në Bundesliga 1.

Për VFB dhe për Hannover.

Një rekord bile është thyer qysh para përfundimit të sezonit: 50.000 shikues për çdo ndeshje në Daimler Arena.. në Bundesliga 2… po që s’ka ngjarë kurrë.

13 Gusht

Pyes veten nëse njeriu ka jetuar më mirë apo më keq pa Google Maps kur në orët e hershme të mëngjesit nisesh për aeroportin e Cagliarit.

Apo nëse në Stuttgart ka taksistë tjerë pos grekëve të gjermanizuar të cilët kurrën e kurrës s’mund të gjermanizohen sepse i tradhton akcenti. Dhe dashuria primitive për atdheun e tyre e cila s’ka si të mos quhet ndryshe pos… nacionalizëm po primitiv.

 

19 Prill

Kalon (pothuajse) ditë për ditë pranë saj dhe nuk e vëren. Mundet të të ngjajë që kurrë nuk e sheh. Dhe papritmas vjen një çast krejt i çuditshëm kur të thotë dikush, i thua dikujt, apo konstaton me vetveten që s’e ke parë… s’ke dëgjuar… s’të ka thënë dikush…se “ka kohë” që më nuk është. Një njeri, një gjësend, një simbol… Orë e madhe me emblemën e qytetit.

E qyteti në të cilin jetoj e ka emblemenën për të cilën e njeh krejt bota… Nga ky mëngjes mund të them i kishte. Në vendin e përhershëm. Sepse në kullën e madhe të stacionit të trenave s’shihet më as ajo Orë me akrepa metalik e as ajo shenjë Mercedesi.

Puna është që nuk janë aty mbase tash e…disa vite. Por ja që s’i kam parë. Duhet të jetë kjo punishte e madhe, nga më të mëdhajat në Europë ku do të /ri/ndërtohet një nga stacionet më të mëdha të trenave po në Evropë. Katër e më shumë vite që ka filluar. Disa gropa të mëdha me qindra punëtorë të cilët deri në vitin 2021 duhet t’i mbyllin punimet të cilat së paku nga vizatimet që janë vënë gjithandej, duhet të vazhdojnë të bëhen vetëm nën tokë… në mënyrë që edhe katër vite të shihet se çfarë do të mbijë mbi tokë.

NJë diell i ftohtë pranvere tashmë shkep rrezet në këtë nënqiell dhe në monitoret e reklamave lexoj një mendim të Novalis-it i cili citohet të ketë thënë që “poeti e kupton natyrën më mirë sesa një shkencëtar”.

Pyes veten: po ne që s’jemi as poetë e as shkencëtar… e kuptojmë natyrën?

Them që kjo s’ka aq shumë rëndësi. Kryesorja: ta ndjejmë atë. Natyrën dhe sidomos këtë pranverë e cila sivjet e ka vendosur të mos vonohet.

7 Mars

Një prej atyre takimeve krejt të papritura. Jemi në fushatë për zgjedhje rajonale dhe kjo dmth. që qyteti dhe Republika është veshur me posterë dhe fytyra politikanësh. Me 13 Mars në jug do të faturohet politika me refugjatët e Kancelares dhe koalicionit.

Kam fatin të jetoj në një Republikë të Gjelbërt. Për herë të parë në historinë  e një Landi kemi një kryeministër të gjelbërt dhe një Qeveri gjelbër- kuq. Qe katër vite.

Dhe tashti duhet të vendoset se kush do të fitojë.

CDU jo se jo. Por edhe Gjelbërt-Kuq zor se do bëhet.

Të shohim si do jetë.

Nisem për të pirë kafe në qytet dhe pranë stacionit të tramvajit më avitet një njeri me një mollë dhe një flyer në dorë. Është kandidati i të Gjelbërve. Winne. Winne është edhe Ministër i Komunikacionit dhe IT-së në Qeveri të BW-së edhe kandidat në Stuttgart II.

I kujtohem dhe flasim paksa për shëndetin, punët e punën. E përgëzoj për punën si Ministër dhe si Qeveri. I uroj sukses por edhe i them që kam dilemat e mia nëse do t’ia jap votën. Ia kujtoj që kishte votuar dhe ishte shprehur kundër intervenimit të NATO-s kundër Milosheviqit.

Buzëqesh dhe më pyet: “Edhe… u bë më mirë? Them se jo. Pos lirisë e pavarësisë asgjë s’po shkon në Kosovë”.

“Por edhe ato nuk janë pak”, i përgjigjem.

Nuk e di nëse do t’ia jap votën këtë të dielë.

Mbase edhe për faktin sesi rrin para tramvajit dhe vet, edhepse i ka gjasat absolute të fitojë mandat të drejtpërdrejtë, flet me qytetarët… njeriu dhe duhet të mendojë ta votojë. Por është në Qeveri. Dhe njeriu që s’është kurrë me Qeveritë e ka zor të votojë për ta.