Një prej debateve më të shpifura dhe për këtë edhe pështira në moçalin politik të Kosovës është postulati politik: „pa u miratuar Demarkacioni me Malin e Zi Kosova nuk merr liberalizim të vizave!“.
Kur e thonë vendorët, kur e përsërisin ndërkombëtarët nga shteti i vendorëve, kur ua ndihmojnë pjestarët e Shoqërisë Civile, kur ua miratojnë opinionistët dhe kur nuk u kundërvihet askush prej atyre që duhet t’ua thotë : si s’ju vjen turp kur flisni broçkulla!
Prandaj, a duhet të çuditet njeriu kur sheh e dëgjon politikanë të pozitës (PDK, LDK) jo rrallë edhe opozitës (VV!, AAK, NISMA) e bashkë me ta edhe opinionistë sesi tash e më shumë se një vit vazhdojnë të çojnë ujë në mullinjtë e erës së kotësisë kur thonë: pa u miratuar Demarkacioni me Malin e Zi nuk ka liberalizim të vizave.
Këtë e thonë pushtetarët- nga PDK a LDK. Disa prej tyre vërtetë mendojnë naivisht kështu. Disa të tjerë duan ta shesin si një monedhë të mundshme paraelektorale- pamarrparasysh se kur zgjedhjet do të mbahen. Kurse krerët e të dyja këto partive: Hashimi e Isa… me të tjerët… e dijnë që e vërteta është krejt tjetër. (Por për këtë më vonë).
Në kurthin e budallallëkut të quajtur lapidarizëm i rënies së murit me kokë jo rrallë dijnë të bijnë edhe pjestarë të opozitës (sidomos nga VV! Por aty këtu dhe nga AAK e NISMA) kur deklarojnë: më mirë të izoluar e pa viza sesa të japim tokën tonë për të cilën kemi derdhur gjakun qe sa shekuj.
Maskaradat e podiumeve virtuale apo edhe atyre reale janë për keqardhje. Sepse askush s’don të ballafaqohet me faktin real që Kosovën dhe shtetasit e saj vazhdon t’i mbajë të mbyllur në burgun e pushtetit- pa liberalizim të vizave dhe çka është edhe më keq edhe pa shansin më të vogël për ta marrë vesh se kur do të ngjajë një gjë e tillë.
Shfaqjet bizare si kjo e tryezës së bisedimeve të Partive politike nuk do të duhej të kishin për tematikë temat e “mëdha” siç janë Demarkacioni, Asociacioni, Ushtria etj. por tavolinat si kjo do duhej të ndalen tek vetëm një pikë e rendit të ditës: data dhe koha e çuarjes së vendit në zgjedhje.
Sepse zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për vendin në këtë kohë kur Koalicioni po hyn në përmbylljen e vitit të tretë të tri sukseseve kolosale të cilat në historinë e Kosovës do të quhen edhe vitet e Koalicionit i cili: zgjodhi Isën Kryeministër, aprovoi Gjykatën Speciale dhe katapultoi Hashimin President… dhe dështoi në e me çdo gjë.
Kaq ka qenë detyra e kësaj ngrehine të PDK/LDK-së e cila në mënyrë të dhunshme shkeli çdo parim dhe frymë të demokracisë europiane dhe perëndimore me mënyrën si u zgjodh.
Nuk i them këto që të kthehem atje ku njeriu s’ka nevojë të kthehet… por thjesht të dal tek pika: menjëherë pas jetësimit të këtij koalicioni, për një periudhë prej gjashtë muajsh (tetor 2014/prill 2015) Kosovën e patën lëshuar mbi 80.000 qytetarë. Skenat dramatike të largimit të qytetarëve të vendit drejt sidomos Gjermanisë por edhe Francës e Skandinavisë edhe sot e kësaj dite janë jo veç trauma për ata që u shpërngulën e në ndërkohë janë kthyer apo vazhdojnë “të luftojnë” për të qëndruar në këto shtete, por ato janë barometri i çdo studimi të kancelarive gjermane, franceze, europiane për situatën politike, ekonomike, sociologjike në shtetin dy milion banorësh.
Dhe vjen pyetja: Kosovës vizat?
Le të dalin e të bëjnë “be” Hashimi e Isa që s’e dijnë!
Por ja që e dijnë prandaj edhe nuk ua thonë: krejt parametrat e “studimeve profilore” të shteteve anëtare të BE-së për Kosovën flasin që në çastin që Republika ta marrë liberalizimin e vizave, për një periudhë kohore prej 6 muajsh, vendin mund ta lëshojnë më shumë se gjysmë milioni banorë. Legalisht dhe me paqartësinë “absolute” se në çfarë mënyre do ta përfillin 90+90 ditëshin për respektimin e regjimit të udhëtimit pa viza.
Arsyeja pse do ta lëshojnë vendin e tyre? Papunësia, paperspektiva, korrupsioni, dëshpërimi…
Prandaj po e provoj me një apel miqësor e njerëzor: sa herë të dëgjoni që politikanët në Prishtinë u flasin për “demarkacion” si “kusht” për vizat dijeni që po ju gënjejnë.
Sa herë të dëgjoni nga europianët që ua përmendin “demarkacionin” (i cili mund të aprovohet me një “demarkacion” në arbitrazh!) dijeni që në mendje e kanë veç një frikë: Migracionin!
Krejt tjerat janë teprica teknologjike prej eteri.
Pos faktit që Kosova duhet të ndryshojë shpejt dhe radikalisht!
Aq sa në BE ta kuptojnë që s’kanë pse frikësohen prej migracionit masiv nga shteti më i varfër, më i korruptuar, më i kriminalizuar… prandaj edhe izoluar i Kontinentit: Republika e Kosovës!