Tag Archives: Werner Herzog

01/01

Të kalosh mesnatën e ndërrimit të viteve në gjumë… a dmth. që ke fjetur një vit? Dhe çfarë është edhe më keq (apo edhe më mirë?), që edhe tërë viti në të cilin hyn do të të kalojë në gjumë?

Ditë pushimi e leximi. Ditë shëtie e qetësie.

Dhe dita në të cilën krejt papritur në Netflix bie në duart e Werner Herzog.

Dhe në filmin Lo and Behold, Reveries of the Connected World.

Çfarë të them për këtë mjeshtri të gjermanit të amerikanizuar apo amerikanit me prejardhje gjermane… apo.. thjesht mjeshtrit të madh?

Asgjë: sepse vetëm sprova e tij për t’i gjetur zanafillën internetit- pa teori konspiracioni e tam-tam-a shkencash, por me një dorëshkrim prej 10 kapitujsh, biseda me dhjetëra pionierë- gjeni e viktima, të çmendur e vizionarë, viktima e fitimtarë të internetit- e bën këtë vepër kaq unike. Dhe të papërsëritshme.

Sikurse edhe vet internetin.

Për të cilën një nga pionierët e tij.. në bisedën me Herzog, thotë që pas disa dekadash dikush do ta quajë këtë kohën që e jetojmë: mesjeta kaotike e internetit.

Është vetëm fillimi.

Dhe ajo që ky film, personazhet e tij na e thonë është: nuk e dijmë se çfarë do ngjajë me këtë shpikje njerëzore e cila, deshëm nuk deshëm, duhet ta pranojmë, është më e madhe se edhe shpikja e librit…

 

2 Prill

Vonë dhe krejt rastësisht ndaloj tek filmi më i ri i Werner Herzog: Queen of the Desert. E shoh dy herë. Katër orë të jetës për një jetë të një gruaje për të cilën dëgjoj për herë të parë, e shoh për herë të parë, lexoj për herë të parë. Gertrude Bell-in e luan Nicole Kidman dhe çdo gjë tjerër dihet. Përfshirë edhe kritikat jo edhe aq të mira, jo edhe aq të këndshme me të cilat e kaloj pasditen pasi e kam parë filmin.

S’i kuptoj ato kritika. Dhe s’i pranoj.

Sidomos s’e kuptoj që Herzog me këtë epos jep anën tjetër të Amazonës… Që ato pamje të shkretirave arabe janë pjesë e kosmosit të tij filmik i cili nuk i ngjet Fitzcarraldo-s me Klaus Kinski-t por që në fakt janë një dhe e vetmja gjë.

Të dyja fascinuese!